Stuhia “Ciara”, që ka përfshirë Europën veriore dhe veçanërisht Britaninë Madhe “ka sjellë” mes të tjerave edhe një rekord të thyer.
Përpos përmbytjeve dhe dëmeve të konsiderueshme materiale, era jashtëzakonisht e fortë i ka mundësuar një avioni Boeing 787 të kompanisë British Airways të përfundojë udhëtimin Nju Jork- Londër në 4 orë e 56 minuta.
Avioni duhet të kalonte Oqeanin Atlantikun në 6 orë e 45 minuta por pilotët “ndoqën” erën e fortë të stuhisë, që në lartësi mund të kapë edhe 420 kilometrat në orë, duke i dhënë mjetit fluturues shpejtësinë e 1327 kilometrave për orë.
Rekordi i shpejtësisë absolute mbahet gjithsesi nga mjeti Concorde, që në 1996 përshkoi udhëtimin në vetëm 2 orë e 53 minuta.
Edhe avionë të tjerë ditën e djeshme kanë përfituar nga forca e stuhisë për të shkurtuar me të paktën një orë e gjysmë distancën midis kontinenteve./Opinion.al