Pas makinës së Dashamir Gjokës, Operacioni Forca e Ligjit ka sekuestruar edhe makinat e blinduara të Saimir Taullaut në Lushnje dhe Durim Bamit në Krujë.
Sekuestrimet e makinave janë bërë në kushtet e emergjencës me firmën e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Por kush është Saimir Taullau?
Vendimi me firmën e drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu për të sekuestruar në kushtet e emergjencës makinën e blinduar të Saimir Taullaut vjen pasi Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin për vetëdeklarimin e origjinës së pasurisë dhe bizneseve që zotëron, pasi dyshohet se i ka vendosur me aktivitetet të jashtëligjshëm duke qenë se më parë ka qenë dënuar për prodhim dhe shitje droge.
Saimir Taullau është një personazh i njohur në Lushnje, pasi u ka shpëtuar dy atentateve. Ai njihet për konfliktin me Aldo Baren në qytetin e Lushnjes që çoi edhe në ekzekutimin e Baki Taullaut, vëllait të tij, në vitin 2005. Përplasje me grupin e Aldo Bares është bërë për shkak të një gjobe të vendosur gati 2 dekada më parë me vlerë 500 mijë euro, por ngjarje ende nuk është zbardhur. Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares./Opinion.al