Ministria e Shëndetësisë është shprehur se deri më tani, në vendin tonë nuk ka asnjë rast të dyshuar me koronavirus.
Në sqarimin e ministrisë thuhet se: “Nuk ka asnjë studente të shtruar në spitalin infektiv në Tiranë. Rasti i spitalit infektiv është një grua që ka udhëtuar 10 ditë më parë nga Kina dhe pas testimit mbrëmjen e djeshme rezulton me grip të thjeshtë dhe negative ndaj testit për koronavirus.”
Sipas informacioneve, bëhet fjalë për një mësuese anglishteje që ka punuar në Kinë dhe është kthyer në Shqipëri para disa ditësh. Sipas ministrisë, ajo ishte nënshtruar analizave të nevojshme, ku ka rezultuar se bëhet fjalë për grip sezonal dhe nuk ka asnjë shenjë të koronovirusit.
Ndërkohë, sipas mediave ndërkombëtare një grup kërkuesish në Australi dolën në një deklaratë të shumëpritur për shtyp, ku bënë me dije se kanë zhvilluar një version laboratorik të koronavirusit të ri, i pari i rikrijuar jashtë Kinës, zbulim ky që mund të ndihmojë në përshpejtimin e përpjekjeve për krijimin e vaksinës.
Kërkuesit e Institutit “Peter Doherti” për Infeksionet dhe Imunitetin thanë se do e ndajnë mostrën, e cila u rrit nga një pacient i infektuar, me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe laboratorë të tjerë të specializuar në mbarë botën./ Opinion.al