Policia ka vendosur të publikojë emrat dhe fotografitë e 50 personave më të kërkuar në vend.
Policia njofton se kjo listë është përcaktuar nisur nga rrezikshmëria e theksuar e secilit prej tyre, bazuar në veprën penale që ka kryer dhe në masën e dënimit të marrë nga gjykatat, duke filluar nga masa më e rëndë, burgim i përjetshëm dhe deri në 25 vjet burgime.
Fillimisht, janë publikuar fotot dhe të dhënat e 5 të kërkuarve, Dritan Syziu, Altin Arapi, Eduart Kurti, Gentian Tako, Gëzim Memeti, ndërsa për 10 ditët e ardhshme do të publikohen çdo ditë nga 5 foto.
Të pestë personat në kërkim, fotot e të cilëve janë publikuar ditën e sotme janë të dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë, për vrasje.
Kështu, Altin Arapi është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, vjedhje me armë. Gëzim Memeti është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Gentian Tako është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje, në lidhje me një krim tjetër. Eduart Kurti është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje. Dritan Syziu është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje./Opinion.al