Kanë kaluar rreth 2 vite që kur aktorë dhe anëtarë të shoqërisë civile po vazhdojnë qëndresën e tyre kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, por sot kryebashkiaku i Tiranës Veliaj duket se nuk tërhiqet nga pozicioni i tij lidhur me këtë cështje.
“Jam shumë i vendosur të vazhdojmë me Teatrin e Ri. Për të gjithë ata që thonë kur do prishet, kjo nuk është sipas qejfit, por sapo të kenë mbaruar të gjitha procedurat, sapo të shkojë në Parlament kontrata e re, të jepet leja për Teatrin e ri dhe ne do të kemi teatrin më të bukur në të gjithë Europën Juglindore. Tirana e meriton që në 100 vitet te ardhshme të mos shkojë në teatër me batanije dhe qytetaret të rrethohen nga mbetjet e kashtës dhe shkrepëseve të Milanos fashiste”, tha Veliaj.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka vendosur që të mbrojë deri në fund godinën madje duke e rikthyer atë në gjendje pune përmes vendosjes në skenë në shfaqjeve të ndryshme. Disa ditë më parë federata pan-europiane e trashëgimisë kulturore ‘Europa Nostra’ iu drejtua me një letër Presidentit, kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës ku njoftonte se Teatri Kombëtar ishte shpallur nga ata si një ndër “7 vendndodhjet më të rrezikuara” dhe bënte thirrje për ruajtjen e godinës.
“Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” është prishur dhe do të ishte risi nëse një fat i tillë i mjerueshëm do të ishte rezervuar për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë”, shkruhej në letrën e tyre.
Por megjithatë duket se këto nuk i kanë bërë shumë përshtypje kreut të Bashkisë së Tiranës i cili paralajmëroi sot se godina e Teatrit Kombëtar do të prishet dhe kur kjo të ndodhë, njerëzit që po rrinë “të ngujuar” brenda saj do të lajmërohen.
“Për të gjithë ata që po lodhen aty, për mua rrini sa të doni , po nuk do ju’a bëjmë pa ditur, do ju lajmërojmë ditën që do të fillojë ndërtimi i Teatrit të ri”, theksoi Veliaj.
Debati për Teatrin Kombëtar lindi pas shpalljes së projektit të prishjen e godinës së vjetër dhe ndërtimit të një të reje nga një firmë private e cila do të shfrytëzonte një pjesë të truallit për të ngritur një kompleks pallatesh. Ndërkohë godina ishte shpallur “trashëgimi kulturore” por ky status iu hoq për ti hapur rrugë prishjes së saj. Aleanca për Teatrin dhe opozita e kanë cilësuar këtë projekt si një skemë korruptive ku përmes koncesionit publik-privat po favorizohet në mënyrë klienteliste një firmë ndërtimi private. /Opinion.al