Komisioni Europian ka reaguar në lidhje me paketën “Paketa anti-shpifje”. KE është shprehur se Qeveria shqiptare duhet të rishikojë këtë paketë, duke marrë parasysh të gjitha rekomandimet e Këshillit Europian.
Ekzekutivi europian konsideron se kthimi mbrapsht i “paketës anti-shpifje” nga presidenti i Republikës në Kuvendin e Shqipërisë, përbën një rast për qeverinë shqiptare, për të pranuar rekomandimet e Këshillit të Europës.
Ana Pisonero, zëdhënëse e KE-së tha se: “Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen adresuar sërish. Faktin që presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”.
E pyetur nëse Komisioni Europian mbështet shprehimisht vetërregullimin në sektorin e medias, zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero, tha se mbështesin të gjitha rekomandimet e dhëna nga Këshillit të Europës.
“Absolutisht që ne e mbështesim këtë. Ne mbështesim disa rekomandime të Këshillit të Europës jo vetëm për promovimin e vetëregullimit. Por ne e mbështesim qëllimin për ta kufizuar qëllimin e rregullimit vetëm për serviset e mediave audiovizive online, trajtimin gjyqësor të pavarur të ankesave lidhur me mediat, forcimin për transparencën e pronësisë së mediave në vend. Pra, ne mbështesim të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, që duhet ndjekur nga një vend aspirant”-tha Pisonero./ Opinion.al