Dëbimi i shtetasit turk, Harun Çelik më 1 janar 2020 shkaktoi reagime të forta edhe në Parlamentin Europian pasi atij i rrezikohej jeta në vendin e tij të origjinës. Sot, 3 javë pas kësaj ngjarjeje është zbardhur dhe urdhri i cili e dërgoi atë në Turqi.
Sipas vendimit të Drejtoreshës së Kufirit dhe Emigracionit në Tiranë, Enkeleda Toska, Çelik u dëbua nga Shqipëria pasi “nuk plotëson kushtet e nevojshme për qëndrim referuar nenit 109/A”, të ligjit për të huajt.
Megjithatë duke u konsultuar me ligjin në fjalë rezulton se mësuesi turk është dëbuar pasi ka tentuar të kalojë kufirin me një dokument të falsifikuar. Kujtojmë se ai u ndalua në pasi tentoi fluturojë nga Rinasi me një vizë kanadeze të falsifikuar, veprim për të cilin vuajti dënimin me 5 vite burg. Megjithatë gjatë kësaj kohe ai kërkoi që të mos depërtohej në Turqi pasi i rrezikohej jeta duke qenë se ishte mbështetës i lëvizjes gyleniste.
Se përse kërkesa e tij nuk është marrë parasysh kjo pritet të sqarohet nga autoritetet, por ajo që bie në sy në vendimin e dëbimit të tij është kontradikta mes pikës 2 dhe 5. Në pikën dy cilësohet se afati i tij për largimin nga territori është 0 ditë, pra menjëherë, ndërsa në pikën 5 thuhet se ai ka të drejtë të ankimojë vendimin referuar nenit 122 të ligjit për të huajt. Praktikisht Harun Çelik e kishte të pamundur ushtrimin e të drejtës së ankimimit dhe mënyra e hartimit të vendimit për dëbimin e tij duket e bërë me qëllim që ai të largohej sa më shpejtë nga Shqipëria.
Vendimi gjithashtu cilëson se largimi i tij duhet të bëhet nga pika kufitare e Rinasit.
Me të mbërritur në Turqi, Harun Çelik u përball me procesin penal të hapur ndaj tij dhe ende nuk ka të dhëna se si po vijon ky proces. Përfaqësues të Parlamentit Europian i kërkuan sqarime autoriteteve shqiptare mbi këtë procedurë dëbimi pasi ata kanë dyshime se është shkelur Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut çka mund të sjellë probleme në procesin e anëtarësimit në BE. /Opinion.al