Partia Demokratike ka reaguar pas zgjedhjes së Artur Metanit në krye të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
PD shprehet se Metani është shërbëtor i kryeministrit Edi Rama në sistemin e drejtësisë, ndërsa vendosja e tij në krye të ILD-së vulos dështimin e reformës, dhe politizimin e drejtësisë.
Ndër të tjera PD shkruan se; “Emërimi i Artur Metanit, një militanti partiak, vartës i Ramës, vëlla i deputetes dhe ish-ministres së Ramës është një tjetër zhgënjim i thellë për të gjithë shqiptarët.”
Maxhoranca dhe opozita e re ka votuar sot në Kuvend me 98 vota pro Artur Metanin në postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ndërkohë, 8 deputet votuan kundër Metanit , ndërsa 9 të tjerë nuk e ushtruan të drejtën e votës,
Artur Metani është vëllai i deputetes së Partisë Socialiste, Eglanina Gjermani. Kjo e fundit para nisjes së votimit ka deklaruar se është në konflikt Interesi dhe për rrjedhojë ka kërkuar që të përjashtohet nga votimi.
Deklarata e PD
Sot u emërua si Inspektor i Lartë i Drejtësisë vartësi i Edi Ramës, vëllai i ish ministres dhe deputetes së tij. Artur Metani, që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë nga politika, u emërua sot në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Sot është një ditë e keqe për demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri. Emërimi i Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, është një emërim partiak në një nga pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, që verifikon dhe nis hetime për të gjithë gjyqtarët, prokurorët, si dhe për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqesor dhe atë të Prokurorisë. Vartës i Edi Ramës për vite me radhë, Artur Metani nuk do t’i shërbejë drejtësisë së pavarur. Ai është emëruar aty për të qenë shërbëtor i Edi Ramës. Me këtë emërim Edi Rama investohet personalisht kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që gjykojnë dosjet e korrupsionit, vjedhjen e votave nga qeveria e Edi Ramës apo lidhjet e tij me krimin e organizuar. Emërimi i Artur Metanit, një militanti partiak, vartës i Ramës, vëlla i deputetes dhe ish ministres së Ramës është një tjetër zhgënjim i thellë për të gjithë shqiptarët që prisnin drejtësi të pavarur nga reforma në drejtësi e cila, me hapin e sotëm është pranë vdekjes klinike./ Opinion.al