Pavarësisht deklaratave të Presidentit Trump se nga sulmi i 16 predhave në bazën amerikane në Irak nuk ka pasur as viktima dhe as të lënduar, një raport i fundit konfirmon se disa ushtarakë janë shtruar në spital për trajtim mjekësor.
Ushtria amerikane konfirmoi se 11 pjesëtarët e saj që janë plagosur nga sulmet janë dërguar për trajtim në Gjermani dhe Kuvajt.
“Asnjë amerikan nuk është vrarë më 8 janar, por disa prej tyre kanë pësuar goditje në kokë”, tha zëdhënësi i Komandës Qendrore amerikane, Bill Urban.
Urban shtoi se ushtarët e plagosur do të kthehen në detyrë kur të vlerësohet se është e përshtatshme. I pyetur se përse u mbajt i fshehtë një bilanc i tillë, ai u mjaftua me faktin se ky ishte vendimi i komandantit në atë moment dhe kjo procedurë u ndoq.
Irani ka sulmuar më 8 janar dy baza të ushtrisë amerikane në Irak ku ndodheshin rreth 1,500 ushtarë amerikanë. Shumica e tyre kanë hyrë në bunkerë pasi janë njoftuar për raketat që janë hedhur./Opinion.al