Artan Fuga-Kur deklarova se ditën që në tryezën e organizuar për kodin zgjedhor midis partive politike, qeveria pati një fitore 10 me 1 ndaj opozitës, disa e censuruan atë çka thashë. E censuruan edhe ata që kanë ndofta nja shtatë vjet që marrin postimet e mia, shkruar thjesht për qefin tim në facebook, pa më pyetur. Disa të tjerë e keqinterpretuan, dhe disa as kuptuan se për çfarë bëhej fjalë dhe as pritën të shpjegohem. Direkt thonjë në fyt! Partia mbi të gjitha!
Nejse, gjëra pa pikë rëndësie! Se mos ra tërmet?!
Përpara sesa të numuroj dhjetë fitoret e qeverisë dhe një të opozitës, desha të sqaroj diçka.
Eshtë e padyshimtë që jeta politike në vendin tonë duhet të hyjë në shinat e institucionalizimit. Duhet patjetër që fati politik i vendit të vendoset si e bëjnë popujt e qytetëruar, në kutitë e votimit, dhe jo në rrugë, as si ballafaqim bombash molotov kundër gazit lakrimogjen, as si takime te mullari i kashtës pas gardhit dhe fshehur nga sytë e botës! As me djegje mandatesh dhe dalje revolucionare nga Kuvendi! Duhet patjetër gjithashtu një kod zgjedhor i ri. Duhet patjetër që opozita të hyjë në zgjedhjet e ardhëshme, sikurse nuk ka rrugë tjetër që veç aktorëve të tjerë socialë, të injoruar, në negociata të hyjnë edhe partitë politike.
Ky qendrim të jetë i qartë dhe bërë dallueshëm i tillë nga ana ime.
Por, pasi thamë këto, pasi dimë që edhe partnerët tanë perëndimorë këtë kërkojnë me ngulm dhe me të drejtë, pra kërkojnë ata që kërkojmë ne qytetarët : marrjen fund të aventurizmit politik ardhur nga çdo horizont, të shohim një pikë tjetër: Përse mendoj se qeveria atë ditë ditë fitoi shumë më tepër sesa opozita?
Ishte një humbje e paralajmëruar, e paevitueshme, ndoshta e ndërgjegjësuar edhe nga vetë opozita. Problemi ynë është se kur partitë politike që sundojnë Shqipërinë dhe ne qytetarët, radikalizohen në qendrime, si kur grinden ashtu edhe kur pajtohen, e bëjnë me zell të tepruar.
Kur grinden hidhnohen, kur pajtohen harrojnë dallimet.
Pra, ajo që unë pashë atë ditë të tryezës ishte që opozita nuk erdhi atje si opozitë në artikulimet e saj, në simbolikën e veprimeve të veta, në mesazhet që duhej të lëshonte te opinioni publik, i cili pret shumë prej saj, por erdhi si palë, aq sa dukej sikur në tryezë ishin ulur njerëz me status social dhe politik e me qendrime dhe strategji të njejta.
Pse 10 me 1?
- Në tryezë përfaqësuesve të opozitës u ishte vendosur përballë pikërisht personi që është lakuar nga opozita për gjatë të gjithë vitit si mishërimi, simboli, nyja, vetë djalli, i vjedhjes të votave, i shkatërrimit të demokracisë shqiptare, personi i kërkuar të dënohet, emri i të cilit ka shërbyer për të mbledhur të gjithë protestuesit në sheshet e tymosura. Zëri i tij u transmetua nga të gjitha mediat e opozitës dhe deri në Gjermaninë e largët!
Unë personalisht i urrej të gjithë manipuluesit e votës. Por, ende vetë personalisht nuk kam ndonjë të dhënë të besueshme se zoti Damian Gjiknuri është ai që ka paraqitur opozita. Edhe mundet, por vetë nuk di gjë. Pse t’i bie në qafë kot! Publikisht pa një vendim të drejtësisë nuk kam asnjë të drejtë të them asnjë fjalë për të. Mirëpo duke dëgjuar opozitën e kam të qartë se cilin imazh të tij ajo na ka transmetuar. Qeveria i vendos përballë opozitës pikërisht atë që opozita e kishte shpallur prej një vitit si vetë djallin, si njeriun që vetëm kod zgjedhor të mirë nuk do, vetëm zgjedhje të ndershme nuk do! Me ose pa të drejtë! Unë nuk di asgjë! Dhe kryeministri në mënyrë shumë provokative duket sikur i thotë opozitës : Erdhe në tryezë??? Ik fol pak me Damjanin!!!Dhe opozita shkon! Sigurisht nuk i zgjedh kundërshtarët – sikundër thotë – por rezervat e veta nuk mund t’i deklaronte, nuk mund të kërkonte të ishte ndryshe? Hiç asgjë!
Tani më thoni : A nuk është kjo një pikë në favor të qeverisë? - Kur pranohet Damjani në tryezë me të cilin thuhet se do të bihet në konsensus (pra Gjiknuri dhe Bylykbashi supozohet se do të bien dakord si dy shokë të mirë), nënkuptohet se është hequr dorë dhe nga kërkesa që të shkohet në zgjedhje pa Edi Ramën si kryeministër. Eshtë logjike rjedhoja. Përderisa për Damjanin thuhet se opozita nuk i zgjedh kundërshtarët, sikundër deklaroi zoti Bardhi, atëhere nuk e zgjedh dot edhe kryeministrin që cakton pala tjetër! Pra, kryeministri ka të drejtë të thotë: iku edhe kjo pikë!
Tani më thoni: a nuk ishte edhe kjo një pikë tjetër në favor të qeverisë? - Thuhet që opozita kishte kërkuar që për kodin zgjedhor të diskutohej dhe të vendosej de facto jashtë Kuvendit. Shumë mirë. E kam thënë, Shqipëria nuk ka pasur kurrë më parë një kuvend kaq shumë kukull, të padenjë dhe karagjoz. Mirëpo kjo i shërben në radhë të parë vetë qeverisë. Pse budallaqe është qeveria dhe kryeministri Edi Rama që të shkonte në zgjedhje me një kod zgjedhor të konceptuar dhe aprovuar vetëm nga një parlament kukull? Përse t’a bënte këtë kur e dinte se pastaj sido të delte rezultati i zgjedhjeve, ato do të ishin të palegjitimuara politikisht, juridiksht e politikisht? Qeveria përkundrazi kishte nevojë urgjente që kodin zgjedhor t’a aprovonte me opozitën që është jashtë Kuvendit, sepse e di që rreth saj janë formësuar realisht shpresat e popullit opozitar.
E thamë që opozita do të shkonte në tryezë nëse nuk donte të bënte gabimin e madh përfundimtar, por kjo nuk ndryshon gjë. Qeveria ja arriti që opozitën ta ulte në tryezë tamam atëhere ku i nevojitej. Kur qeveriste nuk kishte nevojë ta kishte opozitën nëpër këmbë, opozita iku nga Kuvendi. Tani që afrohen zgjedhjen ka nevojë që opozita t’a bekojë kodin zgjedhor, dhe opozita vjen! Cfarë të bëjë ?!
Më thoni, a nuk është edhe kjo një pikë në favor të qeverisë? - Ditën që mbahet tryeza e të katërve, pra kur opozita më në fund lëshon mesazhin e shumë pritur, që megjithë humbjet dhe çmimin që paguante, po i kthehej më në fund rrugës institucionale, po braktiste revolucionin ku ishte futur si rrugë qorre, po atë ditë lajmëron një protestë të madhe të shkurtit. Disa përfaqësues të saj theksojnë që atje populli do të kërkojë që në zgjedhje të parakohëshme të shkohet pa Ramën kryeministër!!!
Unë e di që në gjendjen ku ka arritur vendi ka vend që shqiptarët të protestojnë jo me njoftime para një muaji, por me shpërthime edhe spontane në vendet e tyre të punës, në lagje, e kudo ku bëhen padrejtësi të fëlliqura! Unë kam thënë shumë herë se në zgjedhje duhet të zerohet fuqia administrative e çdo kryeministri. Por, kjo është tjetër gjë. Ndërkohë, atë që opozita i hyn rrugës institucionale, kërkon shpëtim përsëri te rruga!!!
Cfarë u kërkon protestuesve për të njëmijtën herë ? Të përplasen në rrugë, ndërkohë që opozita është duke kërkuar konsensus me ata që ajo i quante vjedhësit e demokracisë?
Po shkon në zgjedhje apo në përplasje e tensione në rrugë? Sepse kemi dy mesazhe kontradiktore brenda disaorësh.
Më thoni, ky konfuzion, a nuk është edhe kjo një fitore e qeverisë? T’a rrëzosh Gjiknurin me anë të rrugës ndërkohë që bisedon me të në tryezë për të organizuar zgjedhjet e ardhëshme? - Por, problemi në atë tryezë nuk është zoti Gjiknuri, por zoti Bylykbashi!!! Duket si e habitshme, madje një çmenduri t’a thuash! Dale mos u nxitoni. Për zotin Bylykbashi si jurist dhe opozitar, si deputet, dhe si administrator i politikës, kam respekt të veçantë. Konkret, i edukuar, profesionist, parimor, mendoj se ai i ka bërë shumë shërbime Shqipërisë. Llaf të keq nuk kam dëgjuar! Megjithatë, ai duhej zëvendësuar në atë tryezë. Përse? Sepse ka qenë gjithë kohën negociatori i kodit zgjedhor apo i negociatave të tjera. Cfarë mesazhi marr si qytetar kur shoh të përjetshmit Gjiknuri – Bylykbashi përballë njeri tjetrit? Marr mesazhin që gjithmonë të njejtët ripërsërisin dramën e madhe politike të këtyre tridhjet vjetëve. Pas çdo grindjeje politike, vjen harmonia politike. Klasa politike ja njeh gjuhën vetes. Sikurse ka qenë do të jetë. Të njejtët që rivijnë në mënyrë të përsëritur nga grindja në negocim. A nuk ngjall kjo mosbesim te qytetarët, te elektorati,duke ushqyer idenë se asgjë e ndryshme, e re, nuk ndodh? Nuk ka partia demokratike të tjera personalitete, qoftë dhe për t’a kursyer zotin Bylykbashi?
Dhe nëse jep imazhin se gjithçka vazhdon si më parë, a nuk e demotivon kjo elektoratin, a nuk e shtyn drejt abstinencës politike? A nuk është kjo një fitore tjetër e qeverisë që kërkon pikërisht demotivimin e elektoratit për të votuar? - Unë nuk mendoj se ajo tryezë u mbaj jashtë logjikës të Kuvendit – sikurse gjoja imponoi opozita. Fakti i i organizimit të saj në një mjedis hapësinor dhe material jashtë ndërtesave të Kuvendit nuk tregon asgjë për thelbin e kuptimit të saj politik. Aty ishin përfaqësuesit e partive politike parlamentare, pra të PD, të PS, të LSI-së. Jo? Sepse partitë opozitare kanë dalë nga Kuvendi? Prisni një sekondë! Lsi – ia atje ka deputetë nga të listave, edhe partia demokratike ka deputetë që nuk di t’i ketë përjashtuar. Sadoqë ata deputetë kanë shkelur vendime partiake.
Në këtë plan një fjalë për zonjën Hajdari. Unë kam shumë arësye qytetare dhe personale t’a vlerësoj shumë zonjën Hajdari, edhe kur ajo është dakord me udhëheqjen e partisë demokratike, edhe kur ajo e kundërshton atë. Kurajoze, e fortë në brishtësinë e saj, ajo ka një artikulim politik që del nga i foluri i drunjtë tridhjetvjeçar i politikës shqiptare. Por, nuk e kam kuptuar se me çfarë statusi ajo ishte në atë tryezë. Si deputete e partisë demokratike? Si kryetare komisioni? Por, po të ishte kështu, atëhere mbetet të jemi brenda Kuvendit? Partia demokratike noton në një turbullirë politike në raport me konstituimin e tryezës.
Më thoni a nuk është edhe kjo një fitore e qeverisë që i imponon opozitës të ketë përballë një deputete të saj, por që është kundër saj? - Të gjitha këto po i harrojmë për një çast, mirëpo drejtimi politik i opozitës deklaron se kodi zgjedhor në thelbin e tij, pra në mënyrën e kandidimit të partive me lista të mbyllura, nuk qenka një problem!!! Këtu gjithçka përmbyllet. Pra fajin e ka individi, thjesht individi, kryeministri Edi Rama! Dikur fajin e ka Saliu, më parë, fajin e ka Enveri, a Pal Vata, tani fajin e ka Rama!!! Po mirë, a nuk është sistemi juridiko-politik që lejon ekseset e pushtetit, abuzimet me të? Cfarë kuptimi ka që të bësh zgjedhje të mira kur prej tyre del një Kuvend kukull, karagjoz, ushtarësh?
Elektorati pret me padurim: A do të arrijë ai me të vërtetë të votojë për deputetët e tij duke i patur nën kontroll, apo do të votojë lista kryetarësh që bëjnë shiun dhe erën, në mënyrë antikushtetuese mbi grupin e deputetëve?
E di partia demokratike që statutet e partive politike lidhur me strukturimin partiak të grupeve të deputetëve bien ndesh me kushtetutën?
Pra, jepet paraprakisht mesazhi se asgjë nuk do të ndryshojë!
Dhe nëse në vend të deputetëve të dalë nga parapëlqimet e elektoratit do të kemi të emëruar me lista, më thoni, a nuk është gjithashtu një fitore e qeverisë? Në vend që Kuvendi të kontrollojë qeverinë kemi qeverinë që Kontrollon Kuvendin. - Dhe nëse ka një mendim të tillë për t’a ruajtur kodin e tanishëm zgjedhor, ai nuk figuron nga ndonjë vendim strukturash drejtuese partish opozitare. Duket sikur vendimet merren njeherë pastaj çertifikohen. Ka ndonjë debat? Ka argumente? Heshtje tërësore. Por, a kanë transparencë partitë politike shqiptare, apo të gjitha janë njësoj nga pikepamja e demokracisë së brendshme?
A nuk do të shënohej edhe kjo pikë si një fitore e qeverisë e cila ka interes që gjithçka të përsërisë standartin e vet politik? - Nga ajo tavolinë ishin përjashtuar përfaqësuesit e partive të vogla, ato jashtëparlamentare, nuk ishin përfaqësuesit e shoqërisë civile, pra nuk ishte e gjithë jeta shoqërore që qendron jashtë Kuvendit të Shqipërisë?
A nuk ndihet e përjashtuar shoqëria nga përcaktimi i kodit zgjedhor? A nuk ka të drejtë të pyetet? Dhe nëse jepet mesazhi se këtë e dinë pak persona të partive tradicionale, a nuk e zbeh kjo motivimin e elektoratit për të votuar?
Më thoni, nuk do të ishte edhe kjo një pikë në favor të qeverisë? - Dhe nëse sikurse thotë tani opozita, sistemi zgjedhor nuk është problem, por fajin e ka thjesht individi, kështu do të vazhdohet të thuhet për reformën e shtetit, të ekonomisë, të shkollës? Kush na siguron që sikurse u tërhoq nga zhbërja e kodit zgjedhor opozita nuk do të tërhiqet nga zhbërja e të gjithë një sistemi që ë çdo orë e ditë i poshtëron qytetarët?
Po fitorja e opozitës?
- Ajo e çbëri këtë parlament karagjoz dhe kukull. Deputetët që mbetën atje sikurse tryeza u tregoi nuk kanë më jetë politike përpara tyre. Historia e tyre politike u mbyll me turp. Jo sepse kundërshtuan vendimin e djegies të mandateve të partive të tyre, por për lojën e fëlliqur politike që bënë, (me ndonjë përjashtim) duke u hequr si opozitë, e duke bërë lojën e qeverisë. Morën votat e popullit opozitar dhe i përdorën për interesat e tyre meskine. U sollën si kukulla politike. Tani zotëria i hodhi tej, i flaku si limona të shtrydhur. Këtej e tutje cdo parti në pushtet do t’a ketë frikën e kamikazeve politike që djegin mandate dhe e lënë pushtetin të masturbohet me vetveten.
Me tryzën e partive parlamentare për kodin zgjedhor, qeveria fitoi shumë më tepër sesa opozita. Por, kjo ende nuk do të thotë asgjë.
Ndoshta opozita ndjek strategjinë e Torviollit. Pra tërhiqet për ta futur qeverinë në kurthin e votimeve sa më të drejta. ndofta si cdo sipërmarrje që hyn ose rihyn në treg duhet të paguajë një çmim të lartë hyrës për të kapërcyer barrierat e tregut. Ndofta si cdo konkurrent i ri, duhet t’i paguajë një haraç atij që zotëron tregun.
Unë mendoj që dhjetë fitoret e qeverisë lidhen edhe me këta faktorë. Por, duhen ditur, thënë, pranuar, jo anashkaluar me dredhira të nënkuptuara sikur opozita ndodhet nën presionin e partnerëve demokratikë të Shqipërisë.
Por, ndoshta edhe mendon se humbjet e asaj dite do t’i rikuperojë në të ardhmen!
Këtë mbetet ta shohim!