Ukraina ka shprehur shqetësime serioze për mungesën e transparencës nga Rusia në lidhje me një memorandum të propozuar për armëpushim, përpara raundit të dytë të bisedimeve që pritet të zhvillohet më 2 Qershor në Stamboll.
Këshilltari i Presidentit ukrainas, Serhiy Leshchenko, deklaroi se Rusia nuk ka zbuluar tekstin e plotë të memorandumit, duke e bërë të vështirë vlerësimin e zbatueshmërisë së tij. Ai shtoi se dokumenti ka të ngjarë të përmbajë formulime të njëanshme, të ngjashme me qëndrimet e mëparshme ruse.
Ndërkohë, Presidenti Volodymyr Zelensky tha se as Ukraina dhe as partnerët ndërkombëtarë si Turqia dhe SHBA-të nuk kanë marrë një axhendë të qartë për negociatat.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar se delegacioni rus do të jetë në Stamboll për të diskutuar përmbajtjen e memorandumit të marrëveshjes së paqes.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti se një nga kushtet kyçe të Rusisë është që Ukraina të mbajë status neutral, të jetë jo-bërthamore dhe të mos anëtarësohet në asnjë aleancë ushtarake. Pavarësisht deklaratave ruse për gatishmëri, Ukraina mbetet e kujdesshme dhe thekson se pa qartësi dhe garanci konkrete, çdo marrëveshje mbetet e pasigurt dhe e vështirë për t’u zbatuar. Klan News