Kroacia mbajti sot raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Rezultatet paraprake të sondazheve nxjerrin fitues kandidatin socialdemokrat, Zoran Milanoviç me 53.25% të votave. Kjo do të thotë se presidentja aktuale Kolinda Grabar-Kitaroviç nuk ka arritur të marrë një mandat të dytë.
“Faleminderit! Faleminderit të gjithë vullnetarëve, të gjithë ju që keni qenë mbështetja ime gjatë këtyre gjashtë muajve. Faleminderit, njerëz,” shkroi Milanoviç në Facebook.
Kroacia është një republikë parlamentare që do të thotë se posti i presidentit ka më shumë kompetenca ceremoniale megjithatë këto zgjedhje shërbejnë si një testim për mbështetjen që ka në popull partia qeverisëse konservatore HDZ, nga e cila erdhi edhe kandidatura e Grabar-Kitaroviç.
Pakënaqësitë me qeverisjen e kryeministrin Plenkoviç u panë para zgjedhjeve si një sinjal se Milanoviç do të zgjidhej president.
Megjithëse numërimi ende nuk ka mbaruar, reagimi i parë ka ardhur edhe nga Shqipëria. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka uruar në Twitter fitoren e Milanoviç si kandidaturë e partisë simotër të Partisë Socialiste.
Our social-democrat friends #Croatia @SDPHrvatske @davor_bernardic @PES_PSE @TheProgressives look to be heading to an important presidential elections’ victory #ZoranMilanovic as exit-polls are predicting. Congratulations! https://t.co/ohLZbXsQug pic.twitter.com/dDeu0Kz7r6
— Taulant Balla (@taulantballa) January 5, 2020
Duhet kujtuar se pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2016, Zoran Milanoviç deklaroi dorëheqjen e tij nga politika dhe hapi një firmë konsulence të tijën të quajtur EuroAlba Advisory klienti më i njohur i jashtëm i së cilës është kryeministri shqiptar Edi Rama. /Opinion.al