Grupi militant al-Shabaab i Somalisë sulmoi të dielën një bazë ushtarake në Kenia të përdorur si nga forcat amerikane, ashtu dhe nga ato keniane. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, grupi islamist ka shkatërruar dy aeroplanë, dy helikopterë dhe automjete të shumta.
Komanda Amerikane e Afrikës (AFRIKOM) konfirmoi sulmin në aeroportin Manda Bay në qarkun Lamu, afër kufirit Somali dhe tha se ai kishte zmbrapsur militantët së bashku me forcat keniane.
Ushtria Keniane tha se pesë militantë ishin vrarë në sulm. Ndërkohë që bëhet me dije se kanë mbetur të vdekur një ushtar amerikan dhe dy kontraktorë që punonin në bazë.
Raporti i Policisë Keniane tha se dy helikopterë amerikanë dhe një aeroplan Cessna ishin shkatërruar, si dhe automjete të shumta ushtarake amerikane.
Grupi al Shabaab tha në një deklaratë se ata kishin shkatërruar shtatë avionë dhe tre automjete ushtarake, pa dhënë detaje të tjera. Ata gjithashtu publikuan fotografi të personave të armatosur me maskë që qëndronin pranë një avioni në flakë.
Majori Karl Wiest nga AFRICOM i tha Reuters më pak se 150 ushtarakë të SHBA-së ishin në bazë, ku ofrojnë trajnime dhe mbështetje kundër terrorizmit për forcat e Afrikës Lindore.
Sulmi që filloi para agimit zgjati rreth katër orë. Në operacionin për të zmbrapsur sulmin, të paktën pesë militantë u vranë dhe u kapën armë përfshirë katër armë AK47. Nuk ka asnjë të dhënë nëse militantët kishin arritur të hynin në bazë.
Al Shabaab ka luftuar për më shumë se një dekadë për të rrëzuar qeverinë Somali dhe për të imponuar ligjin e rreptë islamik. /Opinion.al