Në tre vite, mbi 16 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, arsyeja kryesore për heqjen dorë nga shtetësia, është mos lejimi i dy shtetësisë në shtete të ndryshme ku shumë kosovarë kanë emigruar.
Mësohet se vetëm gjatë 2019-ës, mbi 5.300 qytetarë, kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare. Një tjetër faktor është dhe mos liberalizimi i vizave për Kosovën, ndërsa pritjet për pajisje me viza vazhdojnë të jenë të gjata.
Rroksana Qarri, zyrtare për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tregon për Radio Kosovën, numrin e atyre që gjatë tre vjetëve të fundit kanë kërkuar të lirohen nga shtetësia kosovare, transmeton klankosova.tv
“Gjatë vitit 2019, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 5350 persona, zakonisht janë shqiptarë ata që lirohen nga shtetësia. Gjatë vitit 2018 janë liruar 5463 persona nga shtetësia e Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë vitit 2017 numri i të liruarve nga shtetësia është 5700 persona”, tha Qarri.
Sipat të dhënave, 16 mijë e 513 kosovarë kanë heq dorë nga shtetësia e Kosovës në tre vite. Ky numër, nëse merret për bazë regjistrimi i fundit i popullsisë, është për 1,026 më i madh se numri i përgjithshëm i dy komunave të Kosovës, Hanit të Elezit, që në vitin 2011 kishte 9,403 banorë dhe Junikut, ku u regjistruan 6,084 shtetas.
Zëdhënësja Qarri tregon dhe arsyet kryesore që i shtyn qytetarët e Kosovës që të braktisin shtetësinë e tyre.
“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikë se Kosovës është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë, përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e BE-së. Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashme me vite në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimit të shtetësisë dhe janë te obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme, në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi.”/Opinion.al