Pas shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë, Partia Demokratike ka denoncuar dëmtimet në shkollën e Mesme të Bashkuar “Ismet Nanushi”, në Sukth, pjesë e Bashkisë së Durrësit.
Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Xhemal Gjunkshi panë nga afër dëmtimet e rënda të shkollës së rikonstruktuar vetëm një vit më parë. Sipas ish deputetit nuk ka as informacion cila është firma që ka bërë punimet dhe as kush e ka marrë në dorëzim, bashkia apo drejtuesit e shkollës, ndërsa shton gjithashtu se nëse tërmeti do të kishte rënë gjatë orarit të mësimit dhe jo në 4 të mëngjesit, do të kishte bërë një masakër të fëmijëve të Sukthit.
“Shkolla është rikonstruktuar para një viti me një fond rreth 70 milionë lekë, por për shkak të cilësisë së dobët të punimeve, është dëmtuar rëndë. Nuk ka as informacion cila është firma që ka bërë punimet dhe as kush e ka marrë në dorëzim, bashkia apo drejtuesit e shkollës. Nëse tërmeti do të kishte rënë gjatë orarit të mësimit dhe jo në 4 të mëngjesit, do të kishte bërë një masakër të fëmijëve të Sukthit. “ – u shpreh Gent Strazimiri.
Ish deputeti Strazimiri kërkoi nisjen e hetimeve për të çuar para drejtësisë këdo që, për të vjedhur, ka vënë në rrezik, jetën e fëmijëve.
“Mendoj që është një rast flagrant i abuzimit financiar, një rast flagrant i përqeshjes me jetët e njerëzve, edhe në keq akoma, me jetët e fëmijëve. Prokuroria duhet të konsiderojë nisjen e një hetimi për të gjetur autorët e kësaj grabitjeje, që, nëse nuk do t’i kishte ruajtur Zoti, do të kishte sjellë tragjedi për fëmijët.”- tha ai./Opinion.al