Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, shfrytëzoi një konferencë islamike në Malajzi për t’iu bërë thirrje vendeve myslimane që të thellojnë bashkëpunimin, në mënyrë që t’i kundërvihen, siç tha, “epërsisë” së Shteteve të Bashkuara.
Duke folur në Kuala Lampur, Rohani tha se SHBA-ja po përdor sanksionet ekonomike si “mjet kryesor të hegjemonisë sunduese”.
“Bota myslimane duhet të shpëtohet nga sundimi i dollarit amerikan dhe regjimi financiar amerikan”, tha Rohani, duke kërkuar një bashkëpunim më të thellë financiar dhe tregtar midis vendeve islamike.
Kujtojmë se SHBA-ja i ka vënë sanksione të ashpra Iranit prej kur është tërhequr nga marrëveshja bërthamore midis Republikës Islamike dhe fuqive botërore, vitin e kaluar.
Sipas Uashingtonit, kushtet e marrëveshjes nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore./Opinion.al