Në Thumanë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi fatkeqësisht një numër të lartë viktimash. Ka zëra se dy pallate aty ishin shpallur të pabanueshme dhe banorët më pas janë lejuar të futen.
Megjithatë gazetarja Klodiana Lala tha se deri tani prokuroria e Krujës ende nuk ka gjetur një dokument të firmosur.
“Aty institucionet shtetërore kanë vepruar me neglizhencë. Banorët duhet ti detyronin që të mos futeshin, dokument shkresor nuk ekziston. IKMT apo institucione të tjera nuk kanë firmosur ndonjë dokument. Histori me letra zyrtare nuk ka. Do duhet të indetifikohen personat përgjegjës, janë pyetur një pjesë e banorëve. Në momentin që janë konstatuar ato probleme të rëndë, autoritetet duhet t’i vinin shiritin. Edhe sot që flasim ka pallate të dëmtuar dhe policia lejon banorët të futen brenda të marrin gjerat. Edhe unë jam futur brenda. Deri tani prokuroria nuk ka asnjë rezultat, banorët thonë që na është thënë të mos futemi por…”, tha gazetarja Klodiana Lala.
Për gazetarin Mentor Kikia, Thumana ishte varri më i madh i tërmetit.
Mentor Kikia: Me këtë histori jemi marrë gjatë, janë marrë të gjitha mediat sepse ishte vërtet varri më i madh i tërmetit. Edhe pse si numër, numri më i madh i viktimave është në Durrës, por ishin raste të veçanta dhe specifike. Në Thumanë nuk është plagosur asnjë person tjetër apo në mos lëndime të lehta. Në gjithë zonën tjetër të fshatit ku ka patur dëmtime të shtëpive dhe të gjithë viktimat janë në dy ndërtesa. Këto janë pallate të vjetra. Kanë qenë të degraduara nga koha, pas tërmetit të shtatorit sipas dëshmive të banorëve pallatet ishin të pabanueshme. Por siç ndodh, njerëz të pastrehë as janë ndaluar dhe as janë lejuar. Njeri pas tjetrit, më pas të tërë. Edhe në rastin kur është i pabanueshëm, autoritetet duhet ti vënë shiritin./ Opinion.al