Ditën e sotme në Durrës policia ka vënë në pranga disa persona të cilsuar si përgjegjës për viktimat e tërmetit të 26 Nëntorit.
Gjatë një interviste në ABC News gazetari Artan Hoxha u shpreh se në zonën e Kavalishencës ku humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmataj mund të kishte ndodhur një tragjedi e niveleve më të mëdha.
Ai theksoi se godina që u shemb, e cila zuri poshtë edhe Hajdarmatajn, ishte ajo që mbahej si me kushtet më të mira.
“Në momentin e tërmetit në zonë kishte 130 kadetë të Akademisë së Sigurisë, të cilët për arsye ende të panjohura, për fat të mirë u sistemuan tek godina më e vjetër dhe jo tek e reja”, –tha Hoxha duke theksuar se vetëm ky fakt ka bërë që të shpëtojnë dhjetra jetë.
Sipas tij është një ogur i mirë që kanë nisur hetimet, por vijoi duke thënë se nuk është një ngjarje që duhet hetuar thjesht si shpërdorim detyre, sepse kanë humbur jetë njerëzish.
“Nuk është shumë e rëndësishme sa njerëz do të futesh në burg, por të futen përgjegjësit. Këtu është momenti që duhet dhënë drejtësi”,-përfundoi ai./Opinion.al/