Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndryshoi datën e mbledhjes së parë të parlamentit të ri të Kosovës. Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se “duke respektuar kërkesën e shumicës së partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, me sqarimin se data 24 dhjetor lidhet me pushimin për festën e Kërshëndellave, presidenti Thaçi ka vendosur që Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta thërras më datën 26 dhjetor, në orën 15:00”.
Të mërkurën ai kishte vendosur që mbledhja të mbahej në orët e paradites së 24 dhjetorit.
Mbledhja e parë do të mbahet në ditën e fundit afatit prej një muaji që filloi të numërohet më 27 nëntor, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, certifikoi rezultatet e votimeve, duke i hapur rrugën procesit të ngritjes së institucioneve të reja.
Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28, Partia Demokratike 24, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb.
Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u takuan të mërkurën në përpjekje për të përmbyllur një marrëveshje për bashkëqeverisje. Por, pas atij takimi dhe edhe sot u tha se do të ketë takime të tjera për t’u pajtuar rreth koalicionit./ Opinion.al