Shqipëria po kalon ditë të vështira që pas goditjes nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, i cili la pas dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe dëme të shumta materiale.
Lidhur me situatën në vendin tonë, mësohet se më 19 ose 20 janar, do të mbahet Konferenca e Donatorëve Ndërkombëtarë në ndihmë të Shqipërisë.
Lajmin e bëri të ditur presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë mbledhjes së liderëve të Këshillit Europian në Bruksel. Ai bëri thirrje për të kontribuuar në rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa idenë e konferencës së donatorëve e dha fillimisht në samitin e NATO-s në Londër.
“Do të flasim dhe për atë që ka ndodhur në Shqipëri. Dua të jap një mesazh solidariteti për popullin shqiptar. Do të organizojmë një konferencë ndërkombëtare donatorësh për të qenë sa më pranë Shqipërisë në këto momente të vështira, ku dhjetëra persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë banesat”, tha Macron./ Opinion.al