Revista “Time” ka shpallur aktivisten kundër ndryshimeve klimatike, Greta Thunberg, “person të vitit”. Çdo vit, kjo revistë, shpall si fitues një personalitet, grup ose lëvizje, që ka pasur më shumë ndikim në 12 muajt e kaluar.
Në listën e “Time” këtë vit ishin edhe presidenti amerikan, Donald Trump, kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe protestuesit e Hong Kongut.
“Ajo ka arritur të krijojë në botë, një zhvendosje të qëndrimit për këtë çështje, duke kërkuar ndryshime urgjente. Ajo ka ofruar një thirrje morale për ata që janë të gatshëm të veprojnë”, shkruan revista “Time”, pasi shpalli 16-vjeçaren suedeze “person të vitit”.
Por, sipas revistës, “veprimet për klimën janë aq komplekse sa vetë fenomeni dhe Thunberg nuk ka zgjidhje magjike për këtë çështje”.
Thunberg ka qenë favorite për të fituar Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2019./ Opinion.al