43 persona kanë humbur jetën, pas shpërthimi të një zjarri në një fabrikë të çantave në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi.
Zyrtarët thonë se shumica e viktimave në fabrikën gjashtë katëshe ishin punëtorë, të cilët në momentin kur shpërtheu zjarri po flinin në dyshemenë e ndërtesës. Zjarri nisi rreth orës 5:00 apo 6:00 sipas kohës lokale.
Të paktën 16 prej 50 personave që u shpëtuan janë në spital dhe po trajtohen. Shumica e tyre raportohet se janë në gjendje stabile.
Autoritetet thonë se kanë nisur hetimet për të gjetur shkakun e zjarrit.
Zjarre të tilla janë të zakonshme në Indi, ku ndërtuesit, por edhe pronarët e bizneseve rregullisht injorojnë standardet e sigurisë kur ndërtojnë ndërtesat. Por, ky incident është ndër më vdekjeprurësit në këto vitet e fundit në Indi.
Kryeministri i Indisë, Narenda Modi tha se kjo është një tragjedi e madhe dhe shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave./ Burimi: REL