Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm kur liderët serbë, do të flasin me turp, për trashëgiminë e ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviq. Komentet e presidentit Thaçi vijnë pasi presidenti i Serbisë, mohoi masakrën e Reçakut.
“Kancelarja Merkel foli me dinjitet në Aushvic për turpin e autorëve të krimit në të shkuarën. Liderët serbë flasin me krenari për genocidin. Ne do të arrijmë paqe për të ardhmen e brezave në të gjithë Ballkanin, kur me turp dhe vetëm me turp shprehemi për trashëgiminë që ka lënë Millosheviqi”, ka shkruar në Twitter presidenti Thaçi, duke përmendur një vizitë që kancelarja gjermane, Angela Merkel në kampin e përqendrimit në Aushvic.
Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh pretendenti kryesor për postin e kryeministrit, tha se Serbia duhet të pranojë krimet që ka bërë.
“Ai ka refuzuar ta quajë genocid Srebrenicën dhe tani mohon masakrën e Reçakut. Ai do që të ketë një të ardhme paqësore pa pranuar krimet e së kaluarës. Por, genocidi, varrezat masive dhe masakrat janë e vërteta e Serbisë. Është koha që Vuçiçi të merret me to”, ka shkruar në Twitter, Albin Kurti.
Kujtojmë se më 1999 në Reçak u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe. Kjo ngjarje u cilësua nga ish -shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker si krim kundër njerëzimit.
Masakra e Reçakut, njihet gjithashtu si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan tek fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë./Opinion.al