Ditën e sotme Olsian Çela, ka marrë zyrtarisht detyrën si Prokuror Përgjithshëm. Pas marrjes së detyrës, Çela u shpreh në fjalën e tij se qëllim i këtij institucioni duhet të jetë rritja e besimit të qytetareve.
Po ashtu, ai ka vlerësuar dhe punën e bërë nga paraardhësja e tij, Arta Marku, duke theksuar se ka bërë më të mirën e mundshme gjatë kohës që ka mbajtur postin e kryeprokurores.
Mes të tjerash, Çela u ndal edhe tek situata në vend pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, ndërsa beri edhe premtimin e tij të parë, duke shtuar se; qytetarët presin që drejtësia të vihet në vend.
“Sot është më e rëndësishme se kurrë më parë transparenca që si institucion duhet të sigurojmë ndaj mediat dhe publikut. E falënderoj zonjën Marku punën e bërë në këto dy vite, në një fazë tranzicioni ajo ka bërë më të mirën e mundshme në këto kushte. Tani hymë në një fazë të re, në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë ku prokuroria pësuar ndryshime rrënjësore. Kjo kërkon konceptim të ri. Ekziston mbështetja dhe kemi kapacitete që ti japim vendit një të ardhme më të mirë, që të mundësohet që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane, ku rezultatet punës tonë kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Ta shohim përditshmërinë e punës si një gjë të zakonshme për të ardhmen e vendit. Prokuroria e Përgjithshme mund të japë kontributi të rëndësishme për të ndryshuar dhe për t’i dhënë përkrahje ideve të reja. Sot vendi po përballet me një krizë të madhe për shkak të ngjarjeve të ndodhura në fund të muajit nëntor. Përgjigja që duhet të japë prokuroria në rastin konkret duhet të spikasë në raport me institucionet e reja. Sot njerëzit kërkojnë drejtësi. Sot kërkohet që të bëhen gjëra konkrete. Në këtë fatkeqësi për vendin, njerëzit presin nga ne që të vihet drejtësi në vend. Jam i bindur që do të bëjmë një punë të mirë. Çdo gjë nuk shkon vaj, ndryshimet janë pozitive. Kam besimin që vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë.”, tha Olsian Çela./Opinion.al