Kryeministri Edi Rama u ka bërë përsëri apel partive të opozitës të ulen në një tryezë për të dhënë idetë dhe mbështetjen e tyre për tragjedinë nga tërmeti që përfshiu Durrësin dhe Thumanën.
Në mbledhjen e mëngjesit të sotëm të qeverisë, Rama i bëri thirrje Bashës dhe përfaqësuesve të tjerë opozitarë që të mos ia kursejnë popullit shqiptar ndihmën për këtë nevojë.
Kreu i qeverisë njoftoi se do të aktivizohet fondi prej 1 mln lekësh, ndërsa fëmijët dhe pensionistët do të mund të marrin bursa dhe pension të veçantë brenda muajit nëntor.
“Më mundon pak mungesa e një elementi. Skepticizmi i opozitës për t’u përfshirë në këtë proces dhe për të pasur përfaqësuesit e vet. Nuk e kuptoj dot refuzimin që forcat politike të ulen në një tryezë. Duhet të reflektohet për këtë. Kjo nuk është politikë. Sepse politika në fakt ka lindur që njerëzit të adresojnë sfida dhe të zgjidhin probleme që nuk zgjidhen kur janë vetëm. Politika duhet të bëjë mrekullira. Nuk e kuptoj dot që të ulet në tryezë përfaqësia e këtij vendi, qenka propagandë. Nuk dua të bëj asnjë polemikë por edhe njëherë tjetër i bëj thirrje Lulzim Bashës dhe opozitës të mos ia kursejnë popullit shqiptar këtë nevojë. Është nevoja e njerëzve të shikojnë këtu bashkim, që në këto ditë të zeza ata që nuk e shohin dot njeri tjetrin në sy të bëjnë një hap prej asaj që ka ndodhur. Unë e kam parë me kënaqësi dhe respekt një mesazh të tij që bënte thirrje për bashkim, sepse tingëllojnë si hipokrizi ku nuk ka vepra, po ky nuk është rasti sepse besoj se mesazhi ka qenë i ndjerë. Ministrja e Financave dhe kryetari i Komitetit Kombëtar po punojnë me ekspertët për rishikimin e buxhetit. Përgjigja dhe reagimi i partnerëve është inkurajues sepse nevoja për të krijuar një bazë solide për operacionin e rindërtimit është e madhe. Të gjitha familjet të targetohen sipas nevojë që procesi të mos marrë vite e vite. Na është ngarkuar që të merret me familjet e viktimave. Familjeve të vetmuara, të Thumanës ju duhen vetëm opsione, nëse dëshirojnë të qëndrojnë aty ose të vijnë në Tiranë. Për familjet që kanë pasur këto goditje ikja në një vend do ishte zgjidhja më e mirë sepse qëndrimi aty ku humbën gjithë ato njerëz do e bënte të vështirë rikuperimin psikologjik të tyre. Brenda mesit të dhjetorit të gjithë do jenë nëpër shtëpia. Kështu me familjet në Durrës dhe kështu me familjen në Tiranë. Fondi prej 1 mln lekësh duhet të aktivizohet sot. Janë edhe dy familje në Kosovë që duhen kontaktuar dhe duhet ta marrin këtë fond. Fëmijët duhet të marrin bursën duke përfshirë edhe muajin nëntor. Për pensionistët, nuk bëhet fjala për një pension të çfarëdoshëm por pensionin e veçantë të Republikës së Shqipërisë. Të gjithë ata që janë pensionistë në këto familje dhe shuma duhet të jetë e lërueshme menjëherë. Nëse do të dhurohet në dhjetor brenda do të jetë edhe pensioni i nëntorit”, tha Rama./ Opinion.al