Nga Mentor Kikia
Politika shqiptare tani është në pikën e vlimit. Pas përplasjeve mes dy kampeve, (presidencë + opozitë) dhe (PS + pjesën më të madhe të opozitës parlamentare), në valle është përfshirë publikisht edhe DASH dhe përfaqësia e tij në Tiranë.
Pra nuk ka më mesazhe të koduara!
Meta i cilësoi sot ambasadorët që mbështesin Ramën si “grup i strukturuar diplomatik”. Për analogji, në Kodin Penal quhet “Grup i strukturuar kriminal”.
Beteja për të kontrolluar Gjykatën Kushtetuese qartësoi edhe më shumë palët rivale. Qytetarët tashmë janë thjeshtë spektatorë, pa asnjë mundësi të ndikojnë, pasi zgjedhjet e parakoshme nuk janë një opsion tani për tani. Por duket se kjo nuk do të jetë një ndeshje futbolli apo një proces elektoral, ku humbësi thjeshtë trishtohet.
Kjo është një ndeshje gladiatorësh, ku humbësi ka një fat më të rëndë. Lajmi i mirë është se kjo përplasje nuk ka më kthim pas. Asnjë marrëveshje nuk mund ta ndalë përplasjen e madhe që mund të jetë edhe “Big Bang”-u i politikës shqiptare.
E keqja ndodh që është edhe ilaçi i vetes.