Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borschardt nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Këtë vendim zyra e Metës ja ka bërë të ditur përmes një letre zyrtare, Asamblesë parlamentare të OSBE-së, pranisë së kësaj organizate në Tiranë si dhe Protokollit të Shtetit.
Shkak, sipas letrës, është se ambasadori Borchardt “vuri në diskutim dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit Qershor” si dhe iu ka ngritur gishtin e mesit të njërës dorë protestuesve të Astirit.
Në një emision televiziv, presidenti Meta tregoi pse mori këtë vendim.
“Jemi shumë vonë si shtet për të trguar disa kufij disa diplomatëve të huaj, që kanë abuzuar shumë më ne”, tha kreu i shtetit.
“Po bëhet si një sport shumë fitimprurës i disa diplomatëve për të vënë në diskutime institucionet e shtetit shqiptar dhe institucionin Presidentit, që nuk është i Ilir Metës. E kanë tepruar prej kohësh, 90 për qind janë mjaft të rreptë. Jo vetëm e kanë tepruar, por edhe…”, tha më tej Ilir Meta.
Kreu i shtetit po ashtu komentoi dhe deklarata e ambasadorit të OSBE, sa i përket zgjedhjeve lokale.
“Një deklaratë e tillë ka krijuar konfuzion dhe për të krijuar atë situatë që u krijua. Qëndrimet e tij janë krejt të ndryshme nga raporti i OSBE/ OHDIR-it”, tha Meta.
“Këta po e teprojnë shumë, janë disa diplomatë që janë bërë si leckat e Edi Ramës. Jo vetëm që janë bërë palë, por janë dhe justifikim i Edi Ramës për shkeljen e kushtetues, ai nxjerr këta dhe përdor këta për të kapur të gjitha institucionet”, tha Presidenti./ Opinion.al