Teksa Uashingtoni dhe aleatët e tij evropianë janë përplasur rreth asaj se çfarë duhet të bëhet me mijëra ekstremistë që janë duke u mbajtur në Siri, Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar “të papërgjegjshëm” propozimin francez për të gjykuar mijëra ekstremistë të burgosur në Irak.
“Shtetet e Bashkuara mendojnë se është e papërshtatshme që t’i kërkojmë Irakut të pranojë luftëtarët e huaj sidomos nga Evropa. Do të ishte e papërgjegjshme për secilin shtet të presë që Iraku të zgjidhë atë problem për ata”, ka thënë Nathan Sales, koordinator për anti-terrorizmin në Departamentin amerikan të Shtetit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se shtetet evropiane dhe vendet tjera që luftojnë grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), duhet të kthejnë dhe gjykojnë personat e vendeve të tyre që janë ndaluar në Irak dhe Siri, për të parandaluar grupin në rimarrjen e territorit në shtetet e shkatërruara nga lufta.
“Anëtarët e koalicionit duhet të kthejnë mijëra luftëtarë të huaj dhe të mbajnë përgjegjësi për mizoritë që kanë kryer”, ka thënë Pompeo.
Zyrtarë nga më shumë se 30 shtete janë takuar për të diskutuar çështjet rreth ekstremizmit në një samit të Uashingtonit, të propozuar nga Franca, e cila ka shprehur shqetësim për vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump që të tërheqë trupat amerikane nga Siria një muaj më parë.
Ky hap i ka lejuar Turqisë të krijojë zonë të sigurt në kufi me Sirinë, duke iu kërkuar kurdëve sirianë, që janë aleatë të SHBA-së, që të largohen nga kjo zonë./Opinion.al