Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka publikuar arsyet e dekretimit të kandidates Marsida Xhaferllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Në një argumentim të gjatë presidenti vlerëson se megjithëse kandidatja Xhaferllari është renditur e katërta në listën e dorëzuar nga KED, ajo është diskriminuar në procesin e vlerësimit pasi është vlerësuar me zero pikë nga dy anëtarë pa dhënë arsye. Në vlerësimin e figurës së saj Xhaferllari mori zero pikë nga kreu i KED. Ardian Dvorani dhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku. Ky fakt sipas presidentit ka ndikuar që ajo të renditet e katërta.
Meta përmend disa nga pozicionet që ai mendon se janë eksperiencë e mjaftueshme që ajo të zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
“Zonja Marsida Xhaferllari ka një eksperiencë të larmishme pune prej më shumë se 20 vitesh, si Gjyqtare, Drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit, Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe që prej janarit 2013 në detyrën e Kryeinspektorit të Inspektoritatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Zonja Xhaferllari ka qenë përfaqësuese e Këshillit të Ministrave në shqyrtimin e mbi 50 çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, si dhe përfaqësuese e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në çështjet në Gjykim pranë kësaj gjykate. Përgjatë periudhës 2015–2016 zonja Xhaferllari ka qenë eksperte në Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë në Drejtësi, për përfaqësimin e KLD-së, në tryezat e punës të drejtuara nga ekspertë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, në hartimin e legjislacionit për gjyqësorin” shkruan ndër të tjera Meta.
Ai përmend në argumentimin e vendimit të tij se Kryetari i KED-së ka shkelur ligjin kur ka dërguar pranë Presidentit të Republikës listat për plotësimin e dy vakancave njëherazi. Sipas Metës nuk rezultoi që KED-ja, në mënyrë kolegjale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ sipas tij është kryer nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës.
Argumentimin e plotë e lexoni KËTU. /Opinion.al