Policia e Kosovës ka konfirmuar se 27 shtetas të huaj, për të cilët dyshohet se vijnë nga Siria, Afganistani dhe Libia, kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës dhe kanë kërkuar azil.
Policia njofton se ndaj tyre nuk po zhvillohen hetime, por janë trajtuar sipas Ligjit për Azil dhe janë vendosur në Qendrën e Azilit.
Vendet e Ballkanit kanë shërbyer si korridor për shumë migrantë që kanë ikur nga zonat e luftës dhe varfëria. Ata përdorin territorin e këtyre vendeve, për të arritur në vendet e pasura në Perëndim.
Ndërkaq, Agjencia Evropiane e Kufijve, Frontex, po vazhdon bashkëpunimin me disa vende të Ballkanit, përmes kontrolleve të përbashkëta kufitare. BE-ja vendosi të dërgojë njësitet e saj kufitare në këto vende, pas fluksit të migrantëve në të ashtuquajturin “Korridori i Ballkanit”./Opinion.al