Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter, mësohet të jetë shtruar në një spital në Atlanta për një ndërhyrje në kokë.
Lajmi u bë i ditur nga Qendra e tij ‘Carter’ përmes një postimi në Twitter ku thuhej se ish-presidentit duhet t’i lirohet presioni që ka në kokë, i cili i shkakton gjakderdhje.
Operacioni i ish-Presidentit vjen pasi ai ishte shtruar dy herë në spital muajin e kaluar prej dy rrëzimeve që kishte pësuar gjatë qëndrimit në shtëpinë e tij në Georgia.
Më herët ai i ka mbijetuar kancerit në mëlçi dhe në kokë.
Ish-presidenti 95-vjeçar është udhëheqësi më i vjetër i gjallë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka qenë presidenti i 39-të i SHBA-së dhe ka shërbyer nga viti 1977 deri më 1981.
Carter është mundur në garën për rizgjedhje nga Ronald Reagan. Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë ai ka qenë mjaft aktiv, duke bërë punë humanitare me Qendrën e tij Carter. Në vitin 2002, ai ka marrë Çmimin Nobel për Paqe për vepra humanitare./Opinion.al/