Gjashtë ditë, pas atentatit ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja. Maloku kishte plagë plumbi në shpatull dhe në mushkëri.
Të plagosur nga atentati mbetën prokurori Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremi. Nga hetimet ka rezultuar se njëri nga kallashnikovët e autorëve gjatë atentatit është bllokuar.
Laboratori i Policisë Shkencore, që po analizon armët dhe sendet e gjetura në makinën që u përdor në atentat, ka zbuluar se njëra nga armët nuk arriti të qëllonte të gjithë plumbat. Makina e prokurorit Ndoja mori vetëm 8 plumba, ndërsa atentatorët qëlluan 20 herë në drejtim të saj.
Hetuesit kanë sekuestruar edhe telefonin e prokurorit Ndoja, i cili i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm në përpjekje për të gjetur lidhje mes bisedave të Ndojës dhe ngjarjes. Po kështu janë sekuestruar edhe telefonat e Pëllumb Muharremit, i njohur si Rrumi.
I arrestuari i vetëm, Redjan Rraja, i cilësuar si personi kryesor në grupin e atentatorëve, nuk ka pranuar pjesëmarrjen në ngjarje dhe ka hedhur poshtë çdo lidhje të tij me atentatin.
Por Gjykata e Krimeve të Rënda e la në burg, pasi Prokuroria paraqiti si prova shenjat e gishtërinjve që ai kishte lënë në një palë syze të gjetura në makinën që u përdor në atentat. Edhe qelizat e telefonit të tij celular kanë treguar që ndodhej në atë zonë në momentin e atentatit./ Opinion.al