Mbetet për t’u parë nëse Presidenti Donald Trump do të fajësohet pas akuzave për presion ndaj Ukrainës ndërkohë kujtojmë se përpjekjet e fundit për të fajësuar një president amerikan ishin kundër Bill Clintonit në fund të viteve 1990, Richard Nixonit në mesin e viteve ’70, dhe para kësaj Andrew Johnsonit, plot 151 vjet më parë.
Presidentë përballë impeachment-it:
Andrew Johnson, 1868
Republikanët miratuan një ligj në vitin 1867, të bërë posaçërisht për Johnsonin, të quajtur Ligji i Qëndrimit në Detyrë, e cili e kufizonte presidentin që të largonte disa zyrtarë nga detyra, pa miratimin e Senatit.
Duke sfiduar këtë ligj, Johnsoni shkarkoi Sekretarin e tij të Luftës, Edwin M. Stanton, i vetmi anëtar i kabinetit që ishte kundër politikës së tij të Rindërtimit gjatë pushimeve të Kongresit në verën e 1867. Johnsoni e zëvendësoi Stantonin me Gjeneralin Ulysses S. Grant, por kur Senati u përpoq të rivendoste Stantonin disa muaj më vonë, Granti dha dorëheqjen.
I zemëruar me Kongresin, Johnsoni injoroi emërimin e Stantonit dhe zgjodhi gjeneral-major Lorenzo Thomasin për të plotësuar pozicionin e sekretarit. Kjo ishte një shkelje e drejtpërdrejtë e Ligjit të Qëndrimit në Detyrë dhe nenet e shkarkimit, u hartuan brenda pak ditësh.
Kishte, në total, 11 nene të impeachment-it të hartuar nga Kongresi, pothuajse të gjitha që kishin të bënin me veprimet e Johnsonit rreth Stantontit dhe Ligjit në fjalë, megjithëse nuk mungonte akuza e mbajtjes së fjalimeve në një përpjekje për të sjellë “poshtërim, tallje, urrejtje, përbuzje dhe qortim [ndaj] Kongresit të Shteteve të Bashkuara”, dhe “për të dëmtuar dhe shkatërruar respektin e të gjithë njerëzve të mirë të Shteteve të Bashkuara për Kongresin”.
Dhoma e ulët votoi të fajësonte Johnsonin në 24 Shkurt 1868. Më 5 Mars filloi gjyqi i Senatit ndaj Johnson-it. Me mijëra amerikanë ishin të dëshpëruar për të gjetur bileta për ngjarjen më argëtuese të vitit.
Me 16 maj, përpjekja për të dënuar Johnsonin dështoi vetëm për një votë në Senat. Republikanët ende e urrenin atë, por ishin të detyruar të ruanin integritetin e zyrës presidenciale. Johnsoni shërbeu pjesën tjetër të mandatit të tij, megjithëse me një mungesë të lartë t% besueshmërisë dhe pushtetit.
Richard Nixon: Impeachment-i, që u bë hetim dhe që solli dorëheqje
Teknikisht, saga e skandalit “Watergate” e Presidentit Richard Nixon nuk përfundoi në impeachment, pasi ai dha dorëheqjen përpara se të mund të arrinte në atë pikë, por deri në kohën kur Nixon dha dorëheqjen, Dhoma dhe Senati kishin mbledhur prova të mjaftueshme për të ecur përpara me procesin e impeachment-it.
Procedimet e fajësimit të Nixon-it buruan kryesisht nga ndërhyrjet e tij në futjen vjedhurazi, në 17 qershor 1972 në selinë e Komitetit Demokratik Kombëtar, në zyrat që ndodheshin në hotelin “Watergate” në Washington, DC. Administrata e Nixonit u përpoq në çdo hap për të parandaluar çdo bashkëpunim me Dhomën, duke shkaktuar edhe një krizë kushtetuese.
Por doli që Nixoni kishte regjistruar në fshehtësi biseda private në Zyrën Ovale, dhe disa nga ato regjistrime shfaqnin vetë Nixonin, duke u përpjekur të përdorte pushtetet e tij presidenciale për të ndaluar hetimin e FBI-së, për skandalin e Watergate.
Më 24 korrik 1974, Gjykata e Lartë e detyroi më në fund Nixonin të dorëzojë kasetat. Shiritat përmbanin prova të pakundërshtueshme, dhe nëse Nixoni do të kishte qëndruar për të vazhduar impeachment-in, atëherë ai do të duhej të përballej me një Kongres e Senat me shumicë Demokratike. Ishte e qartë se Nixoni do të fajësohej, dhe shumë shpejt.
Ndërsa u morën në konsideratë shumë, të tre nenet e fajësimit që u miratuan nga Komiteti Gjyqësor i Kongresit ishin pengim i drejtësisë (në lidhje me futjen në Watergate dhe mbulimin e ngjarjes, mbetur në tentativë nga Nixoni dhe stafi i tij, si dhe mosdorëzimi i kasetave famëkeqe të Shtëpisë së Bardhë), shpërdorimi i pushtetit dhe shpërfillja e Kongresit.
Por Dhoma e ulët, e mbushur plot, nuk do të mundej të votonte për impeachment-in, pasi Nixoni dha dorëheqjen në 9 gusht 1974. Në mesditë të nesërmen, ai i dha frerët e presidencës zëvendësit të tij, Gerald Ford. Fordi e fali Nixonin vetëm një muaj më vonë, duke e mbrojtur atë nga aktakuza apo ndjekja e mundshme penale.
Bill Clinton: Skandali Lewinsky, që për pak fundosi presidentin e adhuruar
Presidenca e Bill Clintonit gati përfundoi, kur Dhoma e ulët e kontrolluar nga republikanët kaloi dy nene të impeachment-it.
Akuzat e Kongresit u informuan kryesisht nga Këshilltari i Pavarur, Kenneth Starr, i cili u emërua në 1994 për të hetuar një kompani të pasurive të patundshme, të quajtur “Whitewater”, në të cilën Clintonët kishte investuar në vitet 1970 dhe ‘80.
Por hetimi u zgjerua për të përfshirë pretendimet e ngacmimeve seksuale për të cilat akuzohej Presidentit Clinton, pasi ish-punonjësja e qeverisë së Arkansasit, Paula Jones ngriti një padi kundër presidentit në maj 1994, për ngacmime ndaj saj kur ai ishte guvernator i shtetit.
Dhe më pas, në janar 1998, publiku u informua për një skandal krejtësisht të veçantë që po mbahej prapa dyerve të mbyllura për muaj të tërë: afera e dyshuar e Clintonit me praktikanten e atëhershme të Shtëpisë së Bardhë, Monica Lewinsky.
Dhoma e ulët miratoi dy nga katër nenet e fajësimit, pothuajse plotësisht përgjatë linjave të partisë, më 19 dhjetor 1998. Më 12 shkurt 1999, votimi i përgjithshëm ishte 50-50 për akuzën e pengimit të drejtësisë dhe 45-55 jo fajtor, për akuzën e shkeljes.
Kishte disa pasoja civile për Clintonin, duke përfshirë paaftësinë për të praktikuar ligjin për pesë vjet dhe disa gjoba. Në dhjetor të vitit 1999, një vit pas impeachment-it të Clintonit, dy të tretat e publikut amerikan thanë se gjyqet e impeachment ishin të dëmshme për vendin./Opinion.al