Arta Daden, ish-ministrja e Jashtme, është shprehur se demokracia e brendshme në Partinë Socialiste tashmë është mbytur.
Dade është shprehur në një emision televiziv se , kryeministri Edi Rama, është shkelësi më i madh i demokracisë brenda Partisë Socialiste.
Sipas saj, anëtarët e PS nuk u merret vendimi në lidhje me kandidimin e kryetarëve të bashkive apo deputetëve.
“Demorkacia e brendshme është mbytur. Tashmë çdo gjë është vetëm e emëruar. Shkelen të gjitha nenet e statutit, është ndryshuar statuti në favor të rritjes së autoritetit të numrit një. Vazhdoj të mbetem mikeshë me shumë anëtarë të PS që kanë të njëjtin shqetësim se strukturave nuk u merret mendimi në asnjë rast, as më pak kur është rasti i emërimeve të kryetarëve të bashkive apo deputetëve. Këtu kemi një shkelje flagrante të demokracisë së brendshme”, tha Dade.
Dade theksoi se demokracia brenda PS nuk po funksionon që prej vitit 2008, ndërsa bën përgjegjës kryeministrin për futjen e personave me rekorde kriminale në Kuvend.
“I takonte PS të kishte flamurin e luftës kundër elementëve me rekorde kriminale, fatkeqësisht ata u bashkëngjiten pranë PS gjatë kohës që Rama është kryetar sepse PS nuk ka patur asnjëherë individë me rekorde kriminale. Ishte për të ardhur keq që flamurin e dekriminalizimit e mori një parti që edhe në opinionin publik rezultonte një parti e kriminalizuar dhe këtu e kam fjalën për ngjarjet e ‘96, ‘97 dhe ‘98”, tha Dade.
Ish-minitrja ka theksuar se ajo ka qenë kundër mbytjes së demokracisë brenda PS, ndërsa shprehet se për shkak të qëndrimit të saj, ajo është larguar nga grupi. Arta Dade nuk kurseu kritikat as ndaj anëtarëve të Grupit Parlamentar të PS, për të cilët tha se nuk kontrollojnë në asnjë moment Qeverinë për arsye se ndihen në borxh me Ramën.
“Unë me Edi Ramën nuk kam asnjë qejfmbetje personale, kam mbajtur të njëjtin qëndrim kur kam qenë pjesë e grupit parlamentar dhe veçanërisht kur isha kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme. Kam qenë kundërshtare dhe kam refuzuar të jem anëtare e Kryesisë për mbytjen e demokracisë së brendshme. Rasti konkret ka qenë gara për kryetarin e partisë, patjetër që unë isha mbështetëse që Rama duhet të rikonfirmonte mandatin si kryetar, duke qenë kundërshtare e krijimit të artificave brenda partisë duke bërë paralelizma me statute të vendeve të tjera demokratike. Në mjaft elemente kam qenë ndoshta zëri i vetëm në grupin parlamentar, përveç personaliteteve që u shkëputën dhe më pas krijuan partitë e tyre. Mendoj se prandaj u largova nga grupi sepse isha një zë kundër. Jam kritike në mënyrën se si bëhet politika e jashtme, se si bëhet politika dhe se si nuk zgjidhet konfliktualiteti. Pse duhet të flasë ambasadorja e re amerikane se do të vijë këtu dhe të zgjidhë krizën? Është imponimi i Ramës, është një grup që padyshim i ndjehet borxhli Ramës sepse i gjithë grupi dhe lista janë favoritët e Ramës dhe aq më pak nëse flitet për zgjedhje të parakohshme. Jam e bindur se edhe dikush që mund të artikulonte ndonjë kritikë tashmë me siguri që nuk do të flasë”, tha Dade./ Opinion.al