Deputetja Rudina Hajdari deklaroi sot nga kuvendi se është kërcënuar në zyrën e saj në Kryesinë e Kuvendit dhe nga kjo gjë mund ti rrezikohet edhe jeta.
Prej disa kohësh tashmë brenda grupit parlamentar “Demokrat” në parlament ka përcarje për sa i takon kryesisë së grupit. Deputeti Korab Lita pretendon se ai është zgjedhur si kryetari i ri i grupit duke hapur kështu një konflikt të brendshëm me Hajdarin.
I pyetur nëse kishte dijeni për kërcënimet ndaj Rudina Hajdarit ai mohoi ketë gjë.
“Zonja Hajdari ia adresoi kërkesën kryetarit të Kuvendit. Unë jam koleg me zonjën Hajdari dhe nuk përgjigjem për sigurinë në Kuvend. Nuk e kam kërcënuar unë. Me zonjën Hajdari takohem shpesh në zyrë, por nuk e kam kërcënuar. Unë jam koleg i saj dhe nëse ka terren për kërcënim jam njësoj i rrezikuar edhe unë”, deklaroi Lita.
Më herët për këtë ngjarje foli edhe deputeti Halit Valteri i cili tha se ka patur dijeni për rastin në fjalë dhe se janë disa situata që kanë ndodhur brenda grupit të tyre parlamentar.
“Unë si nënkryetari i grupit Parlamentar demokrat jam vënë në dijeni nga Hajdari për rastin në fjalë. Janë disa situata që kanë ndodhur brenda grupit tonë parlamentar. Këto janë skena të turpshme. Mendoj që duhet të zgjidhet brenda grupit parlamentar demokrat. Këto i takojnë zonjës Hajdari, të cilës i takojnë që t’i bëjë publike. Të gjithë deputetët kontrollohen. Ata që mendojnë se mund të kërcënojnë deputetët e kanë humbur tërësisht fillin e ekzistencës për çfarë janë në këtë sallë”, tha Valteri.
Ndërkohë rreth dy javë më parë deputetja Hajdari shkruante në Facebook se deputeti Lita i ka bërë presion asaj dhe anëtarëve të grupit parlamentar për zgjedhjen e tij në krye të grupit dhe tërheqjen e Hajdarit.
“Përveç një protagonizmi të shëmtuar mediatik, Korab Lita dhe gangsterët e tij, kanë ushtruar presion ndaj deputetëve, përfshirë edhe zj. Fatjona Dhimitri, e cila ka firmosur, për tërheqjen e këtij puçi. Pamjet filmike të disponuara nga zyrat e Kuvendit do t’i çohen Prokurorisë”, shkruan Hajdari. /Opinion.al