Prokuroria e Kosovës ka vijuar hetimet lidhur me zarfet me vota të ardhura nga Serbia, pas raportimeve se më shumë se 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve patën reaksione alergjike pas hapjes së tyre. 12 prej tyre kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Artan Grantolli, nga Prokuroria e Shtetit u shpreh se tashmë mostrat për analizat laboratorike janë dërguar jashtë Kosovës, por nuk ka saktësuar në cilin shtet.
“Është gjetur një laborator në njërin nga shtetet e Evropës, ku edhe janë dërguar mostrat për analiza. Sapo t’i marrim rezultatet ne do t’i bëjmë publike”,- tha Grantolli. Ai nuk ka pranuar të tregojë se në cilin vend janë dërguar mostrat.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani nuk ka dhënë detaje se çfarë ka patur brenda zarfeve që u kn shkaktuar alergji punonjësve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Më 15 Tetor ai kishte deklaruar se pas analizave të bëra për 12 pacientët që ishin përballur me një reaksion alergjik, teksa kanë qenë duke numëruar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë ka rezultuar se nuk kanë ndonjë shkaktar infektiv.
Ndërkohë disa media në Kosovë kanë raportuar se janë gjetur dy lloje të elementeve që mund të ishin në zarfet e ardhura nga Serbia.
“Elementi që vetë letra përmban dhe që nuk ka rrezik si dhe një lloj elementi tjetër që gjendet në spërkatësin për pastrimin e zyrave ose për spërkatjet e pemëve, që sërish nuk ka rrezik për jetën”,- është thënë në raportimet e mediatike.
Por drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani i ka vlerësuar këto konstatime si “thashetheme”.
Të dielën, më 13 tetor, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, 20 persona nga KQZ u ankuan për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 prej tyre përfunduan në spital.
Mjekët thanë se ata kishin simptoma të ndryshme si përziera, skuqje në fytyrë, etj. Pacientët po mbahen ende nën mbikëqyrjen e mjekëve. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u zhvilluan më 6 tetor./Opinion.al/