Është rënduar bilanci i viktimave që shkaktoi tajfuni “Hagibis” që goditi Japoninë. Raportohet se 33 persona kanë vdekur dhe 16 të tjerë janë zhdukur.
Tajfuni ka sjellë rrëshqitje masive dheu si dhe përmbytje të mëdha. Pavarësisht se intensiteti i tij ra mëngjesin e së dielës, sërish u raportuan përmbytje në Nagona, në qendër të Japonisë. Lagje të tëra u përmbytën dhe në disa zona uji shkoi deri në katin e dytë të banesave.
Operacionet e shpëtimit kanë angazhuar rreth 27 mijë trupa ushtarake. Deri tani rreth 376 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike. Më shumë se 800 fluturime janë anuluar në dy aeroportet e Tokios dhe është pezulluar transporti hekurudhor në shumë zona.
Ndërhyrje e menjëhershme është kërkuar nga Kryeministri Shinzo Abe në një mbledhje emergjente me këshillin e ministrave. Ai premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të ruajtur jetën dhe pronën e qytetarëve.
Hagibis është tajfuni më i fortë i regjistruar gjatë kohëve të fundit në Japoni./Opinion.al