Pas tërmetit të rënë ditën e sotme në vend, Presidenti, Ilir Meta, udhëtoi drejt qytetit të Durrësit, pasi aty ishte dhe epiqendra e tërmetit me magnitudë 5.8 ballë.
Rreth orë 17:30 Meta zhvilloi një takime me prefektin Roland Nasto, për t’u njohur në detaje me pasojat që shkaktoi tërmeti.
Pas përfundimit të takimit, Meta tha se duhet të jemi në gatishmëri për t’u përballur me situatën, ndërsa shtoi se strukturat përgjegjëse të punojnë me efikasitet.
“U njoha nga Prefekti dhe nga Shtabi i emergjencave me punë që ata po bëjnë në terren dhe është e rëndësishme të merren masa për të verifikuar pasojat që mund të kemi edhe për të ardhmen, sidomos për banesat që mund të jenë dëmtuar dhe mund të jenë problematike për t’u banuar. Mendoj që jemi në kushtet e një vigjilence të vazhdueshme pasi jetojmë në një rajon problematik dhe është e rëndësishme të jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me vendet fqinje, në mënyrë që të jemi të përgatitur për ç’do situatë. Tani është koha për të qenë gjithmonë të vëmendshëm dhe është e rëndësishme të punohet me efikasitet nga të gjitha strukturat”, tha Meta./ Opinion.al E.Xh.