Një tender për ndërtimin e një tuneli në aksin Kardhiq-Delvinë, solli akuza nga ARRSH drejt kompanisë së ndërtimit ‘Gjoka Konstruksion’ për mashtrim në dokumentet prokurimit; ndërkohë që kompania u përgjigj duke akuzuar drejtoreshën e rrugëve, Sonila Qato për favorizim të një prej konkurrentëve.
Kompania më e madhe koncesionare për ndërtimin e rrugëve, Gjoka Konstruksion u gjend nën akuzë se ka dhënë dokumente të rreme për të fituar një tender me fond limit 19.3 milionë euro, ndërsa iu përgjigj kësaj akuze me një kundërakuzë tjetër të rëndë, atë të manipulimit të tenderit nga ana e Drejtoreshës së Përgjithshme të Rrugëve, Sonila Qato për llogari të një kompanie konkurrente, me dëm afro 4 milionë euro në kurriz të taksapaguesve.
Paralelisht me këto akuza të ndërsjella, një kompani mbikëqyrëse e koncesionit të rrugës së Arbrit – GR Albania, duket se gjendet në një situatë konflikti interesi, pasi është bashkë me ‘Gjoka Konstruksion’ bashkëofertuese për tenderin e dytë.
Mbi këtë mjedis akuzash dhe kundërakuzash të rënda, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi papritur se tenderi për segmentin e fundit të rrugës Kardhiq-Delvinë për momentin do të shtyhet për shkak se qeveria “ka prioritete të tjera”.
Ndryshimi i beftë i prioriteteve duhet të kishte tërhequr vëmendjen e organeve ligjzbatuese , nëse nuk do të ishte një fenomen kaq i përsëritur në një institucion ku drejtorët shpesh arrestohen apo vihen nën akuzë për manipulim tenderësh, por që zakonisht dalin të pafajshëm në gjykatë.
Vetëm 9 muaj më parë një kompani fantazmë arriti të fitojë 18 milionë euro tender të mbajtur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Dhe megjithëse tashmë është pranuar gjerësisht që tenderi u fitua nga një kompani me dokumente të falsifikuara dhe prokuroria ka nisur hetimet, nuk ka asnjë të akuzuar dhe asnjë të arrestuar për skandalin.
ARRSH i hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj këtij institucioni nga ana e kompanisë Gjoka duke thënë se “nuk e ka shkelur ligjin”. Ministria e Infrastrukturës nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi skandalin. Ndërkohë, kompania ‘Gjoka Konstruksion’ i cilësoi akuzat për manipulim dokumentesh si të pavërteta.
Drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Sonila Qato konfirmoi vërtetësinë e një dokumenti të rrjedhur në media në të cilën Gjoka Konstruksion akuzohej për falsifikim dokumentesh, por nuk iu përgjigj pyetjeve mbi akuzat për manipulim të tenderit për tunelin Kardhiq – Delvinë.
GR Albania, kompania e cila është mbikëqyrëse e punimeve në Rrugën e Arbrit dhe njëkohësisht pjesë e bashkimit të operatorëve që kanë hedhur ofertën me çmimin më të ulët për tenderin e Tunelit në rrugën Kardhiq – Delvinë, i tha BIRN se ajo nuk ishte në kushtet e konfliktit të interesit.
ARRSH gjithashtu deklaroi se nuk “kishte konstatuar” deri më tani një gjendje konflikti interesi mbi rolin e dyfishtë të GR Albania, si mbikëqyrës punimesh në rrugën e Arbrit që po e ndërton Gjoka Konstruksion dhe bashkëofertues më këtë të fundit të në lotin 7 të rrugës Kardhiq- Delvinë.
Tuneli Kardhiq – Delvinë
Rruga dykalimëshe Kardhiq – Delvinë synon të lidhë qytetin turistik të Sarandës me pjesën tjetër të vendit përmes një traseje tërësisht të re e cila pritet t’i kushtojë taksapaguesve në total mbi 70 milionë euro. Deri tani janë prokuruar tre segmente me kosto 54 milionë euro, në tre tenderë të dyshimtë për shkak se oferta fituese në të treja rastet ishte vetëm 2% më e ulët se sa fondi limit.
Në prill të këtij viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi tenderin për lotin e 7, një segment rrugor që përfshin pikën kulmore të rrugës si dhe një tunel me gjatësi prej afro 1.2 kilometra nën Qafën e Skarficës. Ndryshe nga tenderët e mëparshëm, ku pati një ose vetëm dy konkurrentë në secilin tender, në këtë të fundit, pati gjashtë oferta të hedhura nga konsorciume ku bënin pjesë kompanitë më të mëdha të prokurimeve publike në vend, të tilla si Fusha, Gener 2, apo Gjoka.
Ofertat e këtyre kompanive varionin nga oferta më e lartë, e barabartë me 98.6% e fondit limit ose 19.2 milionë euro – hedhur nga kompanitë “Ircop” S.p.a. & “Sulova Ndërtim Prodhim” &”Vega” & “A&E Engineering, te oferta më e lirë, e barabartë me 77% të fondit limit ose 14.9 milionë euro, hedhur nga konsorciumi i përbërë nga kompanitë “Gjoka Konstruksion” sh.a. & “Cobial” sh.p.k. & “JV “GR Albania” sh.p.k. Katër kompani të tjera ofruan kryerjen e punimeve për shifra të ndryshme. Autoriteti Rrugor Shqiptar në cilësinë e autoritetit kontraktor, vendosi të skualifikojë plot pesë oferta me çmime më të ulëta për kryerjen e këtyre punimeve dhe shpalli fituese ofertën më te shtrenjtë, atë që ishte e barabartë me 98.6% të fondit limit.
Tenderët që përfundojnë me oferta fituese fare pranë fondit limit ose shumë larg fondit limit, klasifikohen automatikisht si tenderë të dyshimtë për marrëveshje mes prokuruesit dhe fituesit të tenderit, për shkak se probabiliteti matematikor është pothuajse i pamundur.
ARRSH dha një listë me argumente për arsyet e skualifikimit të ofertave më të ulëta, përfshirë atë të kompanive Gjoka, Cobial dhe GR Albania, por të gjitha argumentet e saj nuk mjaftuan. Gjoka u ankua në Komisionin e Prokurimeve Publike, një institucion tjetër mbikëqyrës, i cili hodhi poshtë pretendimet e ARRSH dhe urdhëroi këtë të fundit të tërheqë vendimin e skualifikimit të ofertuesve më të ulët.
Afro një muaj më vonë, Ministria e Infrastrukturës i dërgoi një shkresë ARRSH në të cilën kërkohet anulimi i procedurës së konkurrimit. Më 13 shtator, ministrja Belinda Balluku e shpalli publikisht anulimin e procedurës së prokurimit duke argumentuar se ajo do t’i japë prioritet disa shpenzimeve të tjera publike, por mohoi në të njëjtën kohë që qeveria të jetë ngushtë për para, dhe që anulimi i tenderit të jetë rrjedhojë e vështirësive financiare të qeverisë.
“Ministria ka të drejtë të bëjë prioritet disa nga çështjet emergjente që mund të ketë dhe kjo nuk ka lidhje nëse ka fonde apo nuk ka fonde, këto janë prioritete momentale që ka ministria”, deklaroi Balluku pa dhënë shpjegime se pse po anulohet ky projekt dhe jo ndonjë projekt tjetër.
Anulimi i këtij segmenti rrugor duket se lë të varrosura së paku përkohësisht tre segmentet e tjera të rrugës Kardhiq – Delvinë, të cilat po i kushtojnë taksapaguesve rreth 54 milionë euro. Loti 7, i cili u anulua, gjendet në pikën kulmore të rrugës, pa ndërtimin e së cilit, tre segmentet e tjera mbeten efektivisht jashtë loje. Të tre segmentet janë kontraktuar në shtator 2018 me afat punimesh 24 muaj dhe pritet të mbarojnë në shtator të vitit 2020.
Akuza për falsifikim për Gjokën
Gjoka Konstruksion është kompania shqiptare që arriti të fitojë përmes një oferte të pakërkuar për koncesion, kontratën e ndërtimit të rrugës së Arbrit, me një kosto totale prej 40 miliardë lekësh në vitin 2018. Në korrik të vitit të kaluar, Gjoka hapi kantierin e punimeve ndërsa në 28 dhjetor 2018, ose më pak se gjashtë muaj pas nisjes së punimeve, deklaroi se ka kryer më shumë se sa 25% të volumit të punimeve. Kryerja e këtyre punimeve u konfirmua nga mbikëqyrësit e projektit, GR Albania dhe GAUFF Gmbh ndërsa në janar, qeveria disbursoi pagesën e parë prej 2.5 miliardë lekësh. Shpejtësia e punimeve të Gjokës në këtë segment rrugor u lavdërua në mënyrë të përsëritur nga kryeministri Edi Rama, i cili gjendet nën akuzë se përmes kontratave të tilla kontroverse koncesionare po shpërdoron fondet publike.
Afro nëntë muaj më vonë, një dokument i rrjedhur në media nga Autoriteti Rrugor Shqiptar sugjeron se Gjoka Konstruksion ka manipuluar në bashkëpunim me mbikëqyrësit e punimeve, GR Albania dhe GAUFF, ecurinë e punimeve në tre nga gjashtë tunelet e rrugës së Arbrit, me synimin për të plotësuar kriteret për fitimin e tenderit për lotin 7 të rrugës Kardhiq – Delvinë. Dokumenti, i cili u publikua fillimisht nga Balkanëeb, dhe mban datën 22 gusht 2019, shkruan: “Dokumentacioni i paraqitur nga operatori Gjoka Konstruksion sha paraqet të dhëna të rreme e të pasakta. Punimet e marra përsipër nga Gjoka Konstrusion nuk kanë përfunduar sipas kontratës. Ka zëra punimesh, të cilat janë pasqyruar në sitiuacionin përfundimtar si të përfunduara, por në fakt janë të parealizuara”.
Mbikëqyrësit e punimeve GR Albania dhe GAUFF, i thanë BIRN se ata i qëndrojnë dokumentacionit të firmosur prej tyre për gjendjen aktuale të punimeve, ndërsa shtuan se nuk janë në dijeni të dokumentacionit të dorëzuar nga Gjoka si kryesuesi i konsorciumit në tenderin për rrugën Kardhiq – Delvinë.
“Punimet në Rrugën e Arbrit kanë përfunduar në masën 37.5% ndërsa tunelet kanë përfunduar në masën 37%,” tha Buran Goktepe nga GAUFF. Sipas tij, nga të gjashtë tunelet e rrugës, pesë kanë përfunduar deri në nivelin e betonizimit, ndërsa i gjashti dhe më i gjati, ai që çan poshtë Qafës së Murrizit për rreth 6.5 kilometra, është ende duke u ndërtuar.
Realdo Mansaku, bashkëaksioner i GR Albania, ishte më i prerë: “lajmi i vetëm këtu është që loti 7 i Kardhiq-Delvinë mund të ndërtohet me 4 milionë euro më pak nga fondi limit”, tha ai.
GR Albania tha se nuk shihte konflikt interesi në pozicionin e saj njëkohësisht si mbikëqyrëse e punimeve të Gjoka Konstruksion në Rrugën e Arbrit dhe rolin e saj si bashkëofertuese për ndërtimin e lotit 7 të Kardhiq – Delvinë, të cilin Gjoka mund ta fitojë përmes plotësimit të kushtit të eksperiencave të mëparshme me ndërtim tunelesh, në rastin konkret të tuneleve të rrugës së Arbrit, ndërtimi i të cilave konfirmohet pjesërisht nga GR Albania.
Në fakt situata ku një kompani është mbikëqyrëse e një projekti dhe bashkëpunëtore me subjektin e mbikëqyrur në një projekt tjetër, nuk duket të jetë një situatë konflikti interesi e parashikuar si e tillë në ligjin shqiptar. Por megjithatë, fakti mbetet se GR Albania ishte subjekti që certifikoi ecurinë e punimeve në tunelet e rrugës së Arbrit, certifikatë që duket se është përdorur nga Gjoka për të plotësuar kushtet e tenderit për tunelin e Skaficës.
Situata nuk është e paprecedentë për qeverinë shqiptare, e cila është përballur me akuza për shkelje të tilla në shumë kontrata koncesioni apo projekte të tjera. P.sh., në rastin skandalit të Unazës së Madhe të Tiranës, projekti i rrugës dhe rrjedhimisht, volumi i punimeve në të ishte përcaktuar nga një kompani, e cila më pas e bëri dhuratë projektin te ARRSH. Ose në koncesionet e “pakërkuara” të rrugëve, ku volumi i punimeve duket se nuk përcaktohet nga projektues të pavarur por nga vetë kompanitë që do të kryejnë punimet dhe që dukshëm kanë interes që volumi i tyre të jetë më i lartë.
Akuza ndaj Qatos për manipulim të tenderit
Në një deklaratë të dërguar me email, Gjoka Konstruksion ishte më e prerë. Kompania akuzoi drejtpërsëdrejti drejtoreshën e përgjithshme të rrugëve Sonila Qato se ka manipuluar procedurën e prokurimit për llogari të konsorciumit me ofertën më të lartë ndërsa sipas kompanisë së ndërtimit, inspektimi i rrugës së Arbrit është urdhëruar nga Qato drejtpërsëdrejti me synimin e gjetjes së argumenteve për skualifikim.
“Bashkëngjitur një renditje e hollësishme e fakteve mbi shkrimet e rreme që kanë dalë në mediat e ndryshme mbrëmë dhe sot [15-16 shtator] të iniciuara nga drejtoresha e rrugëve,” shkroi kompania në një email dërguar BIRN.
Në email [link], Qato akuzohet mes të tjerash se ka shtyrë afatin e prokurimit dhe ka ndryshuar kushtet e tenderit për të favorizuar konsorciumin IRCOP & Sulova & Vega & A&E Engineering, e cila hodhi edhe ofertën më të shtrenjtë.
“Çdo aludim mbi dokumentacionin e tillë si Formular Vlerësimi, Situacion përfundimtar punimesh dhe Akt kolaudimi të paraqitur në tender nga Gjoka Konstruksion sha, i cili paraqet të dhëna të rreme e të pasakta është i pavërtetë, i njëanshëm, i mbajtur nga njerëz besnik të znj. Qato, të cilët me devotshmëri dhe pa profesionalizëm i kanë shërbyer drejtorit të ARRSh duke hedhur baltë mbi ne si shoqëri për qëllimin e vetëm, kualifikimin e një ofertuesi të regjistruar 1 muaj përpara shpalljes së tenderit me ofertë mbi 500 milion lekë më të lartë,” deklaroi Gjoka Konstruksion.
Pyetur nga BIRN, Sonila Qato, e cila drejton ARRSH që nga janari i këtij viti, konfirmoi vërtetësinë e dokumentit të publikuar në Balkanëeb, ndërsa nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me akuzat për favorizim të kompanisë italiane.
Veçmas, Autoriteti Rrugor Shqiptar i tha BIRN përmes një emaili se drejtoresha e ARRSH gjatë këtij prokurimi nuk rezulton të ketë “kryer ndonjë veprim apo të jetë dhënë ndonjë urdhër në kundërshtim apo tejkalim me kompetencat ligjore.” [Link përgjigjja e ARRSH].
Sipas kompanisë Gjoka, deri tani në Rrugën e Arbrit ka përfunduar 43% e punimeve. BIRN nuk ishte në gjendje të verifikonte arsyet e diskordancës mes shifrës së dhënë nga mbikëqyrësit e punimeve (37.5) dhe Gjokës.
ARRSH i qëndron akuzës se Gjoka ka manipuluar të dhënat e ecurisë së punimeve.
“Inspektimi i punimeve është bërë nga grupi i punës për punimet e dukshme në objekt, duke u mbështetur në verifikimin krahësimor të dokumentacionit teknik të paraqitur në dokumentet e tenderit (aktin e kolaudimit, situacionin përfundimtar, formularin e vlerësimit, kontratën e nënsipërmarrjes dhe preventivi), me librezën e masave të vëna këto në dispozicion nga ana e supervizorit në objekt,” deklaroi ARRSH.
“Në konkluzion, grupi i punës ka mbajtur një raport mbi verifikimin e ecurisë së zbatimit të punimeve në objekt, në të cilin relatoi diferencat e punimeve të dukshme gjatë kontrollit ndërmjet situacionit përfundimtar të paraqitur, preventivit dhe faktit, të cilin e ka dokumentuar edhe me materialin fotografik që ka bërë në objektet përkatëse,” shton më tej ARRSH.
Akuzat e ndërsjellëta mes ARRSH dhe Gjokës duken të rënda. Falsifikimi i situatës së punimeve në Rrugën e Arbrit dhe rrjedhimisht, i dokumenteve të tenderit në rrugën Kardhiq – Delvinë, siç pretendon ARRSH se ka bërë Gjoka Konstruksion përbën vepër penale. Paralelisht me këtë, ndryshimi i kritereve të tenderit dhe favorizimi i një kompanie me ofertë mbi 4 milionë euro më të lartë, përbën gjithashtu një vepër penale.
Megjithatë, akuzat dhe kundërakuzat për vepra penale midis kontraktorit dhe Autoritetit të Rrugëve, të cila kanë trazuar mediat dhe opinionin publik, duket se e kanë trazuara prokurorinë – e cila deri tani nuk ka dhënë një sinjal të qartë për hapjen e një procedimi penal që do të ndihmonte për të hedhur dritë mbi të vërteten./ Burimi: Reporter.al