Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj beson se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe se e meriton hapjen e negociatave me BE.
I pranishëm këtë të martë në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Integrimit, Cakaj ka folur në lidhje me procesin “Screening”.
“Këshilli Europian ka kërkuar vazhdimin e vetingut, ngritjen e SPAK e BKH dhe rritjen e luftës kundër krimit e korrupsionit. Komisioni europian ka vlerësuar se të gjitha kushtet teknike janë plotësuar nga Shqipëria dhe meriton hapjen e negociatave. Në këto tre kushte, Komisioni Europian vlerëson faktin se 88 gjyqtarë e prokurorë janë larguar nga puna për shkak të vettingut”, tha ministri në Detyrë.
Cakaj u pyet edhe në lidhje me deklaratat e kryeministrit grek, Mitsotakis në lidhje me çështjen e minoritetit. Duke mos preferuar që të jap komente mbi këtë deklaratë, ministri në detyrë theksoi çështja e minoritetit në Shqipëri është e qartë dhe se qeveria shqiptare ka nisur kontaktet me qeverinë e re greke me qëllim heqjen e barrierave të integrimit.
“Me qeverinë e mëparshme greke kemi pasur proces aktiv komunikimi e nuk ka pasur barriera për integrimit. Dhe me qeverinë aktuale jemi në kontakte, por Shqipëria është ne pozicionin që duhet të marrë mbështetje politike për të pasur një vendim në tetor. Nuk mund të komentoj mbi motivet apo llogarite e çfarëdo lideri. Situata e minoritetit grek në vend është publike dhe e shumë e qartë”./ Opinion.al