Partia Demokratike ka denoncuar sot se sistemi me konkurse i punësimit në shtet është propagandë e kryeministrit Rama, pasi në fakt vendet e punë i jepen militantëve të ardhur me lista nga Partia Socialiste.
Në një konferencë për mediat, ish-deputetja Oriola Pampuri tha se “shembull tipik i kësaj propagande është Agjencia e Kadastrës, e drejtuar prej 6 vitesh nga Artan Lame me emrin e Agjencisë së Legalizimeve”.
Ajo e cilësoi si teatër daljen e pak ditëve më parë të Artan Lames ku u shpallën vende të reja pune duke e shoqëruar denoncimin e saj me një material audio ku dëgjohet Lame teksa bisedon me punonjësit.
“Rreth një vit më parë, kjo u provua me një material autentik, të publikuar në media, ku Artan Lame dëgjohet që pranon ndërhyrjen e deputetëve socialistë për marrjen në punë të militantëve dhe përdorimin e tyre gjatë fushatës. Ju ftoj ta ndjekim këtë pjesë, ku Artan Lame nuk është në rolin e një shtetari që flet për konkurse, por në rolin e një partiaku që emëron militantët e sjellë nga partia” tha Pampuri.
“Jemi dy muaj para zgjedhjeve që do të thotë me historira deputetësh, me ministra, me nevoja me kandidat bashkish, të gjithë kërkojnë ndihmë dhe kërkojnë mbështetje…E keni parë se legalizimet është një nga gjerat më të rëndësishme që konsiderohet, kështu që deri në zgjedhje, historinë e ditës së shtunë nuk dua ta dëgjoj më. Për sa kohë që unë ditën e shtunë jam në punë, kush mendon se do të rri pushim, fare thjesht le ta thotë dhe natyrisht duhet të ikë pastaj. Për më tepër që unë ua kam thënë që në shumë raste kur janë larguar njerëz të tillë, i kam thënë ministrave e deputetëve përkatës; vëlla i dashur, vendi është i joti, ky do iki, më sill një tjetër.”, thuhej në audion ku fliste Lame.
“Modeli i vërtetë i Artan Lames dhe gjithë të ngjashmëve të tij është vetë Edi Rama. Dosja 339, e trajtuar gjerësisht nga Zëri i Amerikës pak muaj më parë, provoi se është Kryeministri ai që ndërhyn drejtpërdrejt për prishjen e konkurseve të administratës dhe, në mënyrë kriminale, ndërhyn nga zyrat e tij për të larguar më të aftët dhe për të punësuar militantët partiakë apo njerëzit e kriminalizuar” mbylli deklaratën përfaqësuesja e Partisë Demokratike./ Opinion.al