Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime, ka deklaruar Presidenti i Republikës, Ilir Meta në ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Me anë të një mesazhi në Facebook, presidenti nënvizon rolin e demokracisë në shoqëri dhe thekson se vlerat e saj në Shqipëri janë përçudnuar.
“Demokraci do të thotë që çdo qytetar të vendosë për të ardhmen e vet. Që çdo qytetar të ketë besim te roli i vet në demokraci. Që çdo qytetar të ketë mundësi për të ndikuar mbi vendimmarrjen. Për ta detyruar atë të jetë transparente, nëpërmjet llogaridhënies në çdo nivel vendor dhe kombëtar. Demokraci do të thotë që çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit. Fatkeqësisht shumë nga këto parime e vlera që janë kolonat dhe zemra e botës demokratike, janë përçudnuar në vendin tonë” shkruan Meta.
Meta flet për një shtet paralel të krijuar përmes propagandës, i cili ka si qëllim të kapë shtetin dhe të dëmtojë demokracinë.
“Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore” shkruan Presidenti.
Shpopullimi, humbja e shpresës tek të rinjtë, paligjshmëria ka bërë që të jemi të fundit në rajon në procesin e integrimit evropian sipas Metës. Përmes mesazhit të tij Presidenti i bën thirrje njerëzve se “demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë të panegociueshme” dhe se mbrojtja e tyre kërkon “kontributin e secilit”
“Zgjidhja nuk është largimi, por zgjimi dhe ndryshimi! Largimi u intereson atyre që duan të zbrazin Shqipërinë nga shqiptarët, ndaj prej kohësh kanë planifikuar vrasjen e ngadaltë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. T’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe! Regjimi i bllokmenëve ishte shumë herë më i vështirë se regjimi i oligarkëve për t’u përmbysur! Zgjidhja nuk është tërheqja dhe justifikimet foshnjore, por përballja me të keqen dhe ligësinë! O SOT O KURRË!” mbyll mesazhin e tij Meta. /Opinion.al