Pas vizitave në Kosovë dhe Serbi, senatori amerikan, Ron Johnson, deklaroi se u takon udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd nëse mund të arrijnë marrëveshje.
Senatori republikan, ka thënë se gjatë udhëtimit të fundit që ka pasur në rajon, ka arritur në përfundimin se të dyja vendet dëshirojnë përfshirje më të madhe të SHBA-së në këtë proces. Mirëpo ai ka theksuar se SHBA-ja do të jetë në mbështetje të procesit, por nuk do të imponojë asgjë.
“Le ta themi hapur: Amerika është fuqi e madhe dhe ata kërkojnë një rol më të madh udhëheqës amerikan. Unë mendoj se ne do t’ua ofrojmë këtë, por jo në kuptimin e imponimit të diçkaje, jo në kuptimin e presionit për të bërë diçka, por thjesht duke qenë mbështetës të përpjekjeve të tyre dhe duke u përpjekur për krijimin e kushteve që udhëheqjet e të dyja vendeve të mbështeten te përkrahja e Amerikës dhe e Evropës pasi të kenë arritur një marrëveshje”, ka thënë Johnson.
Senatori Johnson ka thënë se detyrë e SHBA-së, por edhe e udhëheqësve të dyjave vendeve është të bindin qytetarët për përfitimet që rrjedhin nga arritja e marrëveshjes dhe dalja nga bllokada aktuale.
“Kjo është e domosdoshme për të bindur popullin e Kosovës dhe të Serbisë, sepse ajo mund të jetë një marrëveshje të cilën ata mund të mos e pëlqejnë, pikërisht si Marrëveshja e Prespës. Qytetarët e Greqisë dhe asaj që sot është Maqedonia e Veriut nuk ishin të kënaqur me të. U desh guxim politik për ta arritur atë marrëveshje. Besoj se të dyja këto vende, pas jo shumë muajsh do ta kujtojnë këtë dhe do të thonë: përse e bëmë aq të madhe? Pse u grindëm aq shumë?”, ka thënë Johnson.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë dhe Beograd, senatori Johnson se bashku me senatorin demokrat, Chris Murphy, bën thirrje për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar faktin se kjo kërkon nga të dyja palët të bëjnë sakrifica dhe kompromise./Opinion.al