Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, iu bëri thirrje investitorëve por dhe njerëzve të tjerë të përfshirë, që të jenë të durueshëm përpara negociatave kryesore tregtare SHBA-Kinë, të planifikuara për muajin e ardhshëm.
“Nëse dëshirojmë të marrim një rezultat të shkëlqyer, duhet të lejojmë që procesi të marrë rrugën e tij”, tha Navarro në një intervistë për CNBC.
Prej dy vitesh, Presidenti amerikan, Donald Trump, po kërkon arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Kinën. Ai ka vendosur sanksione të ashpra për importet kineze, duke sjellë kështu edhe reagimin e Kinës, e cila vendosi tarifa shtesë ndaj SHBA-së.
Trump ka thënë ditë më parë, se Kina duhet të arrijë patjetër një marrëveshje me Uashingtonin, duke paralajmëruar se do të jetë edhe më i ashpër ndaj Pekinit nëse bisedimet tregtare zvarriten.
Mbrojtja e pronësisë intelektuale, transferimi i detyruar i teknologjisë amerikane në firmat kineze, hyrja e ndërmarrjeve amerikane në tregjet e Kinës dhe subvencionet industriale, janë çështjet kryesore në bisedimet mes dy superfuqive ekonomike botërore, ndërsa lufta mes tyre ka lëkundur tregjet e aksioneve dhe ka rritur frikën për një recesion global./Opinion.al