Në 18-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, që ishin edhe arsye e nisjes së luftës në Afganistan, një raketë shpërtheu në ambasadën e SHBA-së në Kabul, ndërsa një tjetër goditi kompleksin e Ministrisë së Mbrojtjes së Afganistanit.
“Personeli diplomatik nuk është prekur drejtpërdrejtë nga shpërthimi”, ka thënë një zyrtar i Departamentit të Shtetit, pa dhënë shumë detaje.
Sulmi ndaj ambasadës amerikane, vjen disa ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se ka anuluar bisedimet e fshehta të paqes me krerët e Talibanëve në Afganistanit, pasi grupi mori përsipër një sulm në Kabul ku mbeti i vrarë një ushtar amerikan dhe 11 persona të tjerë.
Presidenti amerikan tha në Twitter se udhëheqësit e Talibanëve do të takoheshin me të për bisedime paqeje në Camp David, por ai kishte anuluar gjithçka pasi talibanët morën përgjegjësi për sulmin në Kabul.
Vdekja e ushtarit amerikan çoi në 16 numrin e personelit ushtarak amerikan të vrarë në aksion në Afganistan këtë vit, ndërkohë që Uashingtoni po kërkon një rrugëdalje nga lufta e tij më e gjatë.
“Nëse ata nuk mund të bien dakord për armëpushim gjatë këtyre bisedimeve shumë të rëndësishme për paqen, dhe madje do të vrisnin 12 njerëz të pafajshëm, atëherë ata me siguri nuk do të kenë fuqinë të negociojnë një marrëveshje kuptimplotë,” tha Trump të shtunën në Twitter./Opinion.al