Java që vjen do të jetë në nxehtë sa i përket zhvillimeve politike. Ilir Meta do të paraqitet përpara Komisionit Hetimor (të hënën në orën 10:00), që është ngritur për të hetuar veprimet apo mosveprimet e kreut të shtetit, në lidhje me dekretet e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Komisioni ka marrë në ndërkohë përgjigjet e disa institucioneve të cilave ai është drejtuar, por duket se vendimtar do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias. Në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias është njoftuar vizita e këtij delegacioni në Tiranë, si dhe axhenda e takimeve.
Komisioni informon se delegacioni do të qëndrojë të hënën dhe të martën dhe do takohen me Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, drejtuesit e opozitës në Kuvend, anëtarët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, Ministrin e Brendshëm, përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kryetaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese.
Në axhendë nuk është parashikuar takim me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Opinioni mbi këtë çështje është parashikuar të jepet në sesionit te tetorit të mbledhjes së Komisionit të Venecias./ Opinion.al