Uragani Dorian, që pritet të godasë ishujt e Bahamasit dhe brigjet juglindorë në SHBA, është klasifikuar në kategorinë e pestë. Për të shmangur katastrofën që mund të shkaktojë stuhia e fuqishme, është bërë evakuimi i banorëve, dhe turistëve u është kërkuar të largohen, teksa janë mbyllur edhe disa prej aeroporteve.
Sipas qendrës për uragane në SHBA, stuhia e cila i është afruar me disa kilometra ishujve Bahamas, arrin një shpejtësi prej 260 km në orë, e cila është vazhdimisht në rritje.
Pas Bahamasit, uragani Dorian pritët të godasë edhe Floridën këtë fillim jave. Guvernatori Ron DeSantis deklaron se ka shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa janë vënë në lëvizje 2,500 trupa të gardës kombëtare, ndërsa 1.500 të tjerë janë në gatishmëri.
Ekspertët kanë paralajmëruar se Dorian mund të jetë stuhia më e madhe në rajon, pas uraganit Andrew, që në vitin 1992 shkaktoi 65 viktima, si dhe shkatërroi më shumë se 63 mijë banesa./Opinion.al