Partia Demokratike ka akuzuar sot kryebashkiakun Erion Veliaj se ka gënjyer qytetarët e Tiranës kur premtoi se nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi. Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Veliajt ka dhënë numër rekord lejesh ka deklaruar në një dalje për mediat ish-deputetja e PD, Oriola Pampuri.
“Erjon Veliaj mashtroi qytetarët e Tiranës 4 vjet me parë duke u premtuar se asnjë leje ndërtimi nuk do të jepej nën drejtimin e bashkisë së kryeqytetit prej tij.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se për të gjithë vitin 2018 janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Po sipas raportit zyrtar të INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti janë dhënë gjithsej për kryeqytetin 94 leje ndërtimi, me një rritje prej 44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Trendi rritës vijoi edhe në tremujorin e dytë, ku u thye rekordi i lejeve të ndërtimit për bashkinë e kryeqytetit me 111 leje të reja” u shpreh Pampuri.
Ajo paraqiti dy raste që tregojnë një formë të re betonizimi në Tiranë, pallat mbi pallat. Sipas ish-deputetes së PD këto ndërtime të jashtëligjshme kanë si qëllim pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionit.
“Kjo është pamja në një nga ndërtesat më të larta të Tiranës, Sky Tower, pronë e ish-deputetit socialist Vladimir Kosta.
Mbi këtë ndërtesë në zemër të kryeqytetit po hedh shtat një ose më shumë kate.
Ndërkohë që një qytetar i thjeshtë i Tiranës nuk ngul një gozhdë në shtëpinë e tij se përfundon në burg, oligarku i Ramës ndërton pa iu prishur fare terezia në zemër të kryeqytetit”
“Në këtë foto është një tjetër objekt banimi në kryeqytet ku po hedh shtat një tjetër pallat mbi pallat.
Qytetarët e alarmuar kanë denoncuar deputetin e Partisë Socialiste, Robert Bitri që po ndërton një kat shtesë në këtë objekt banimi që jo vetëm shton betonin në Tiranë, por rrezikon jetën e qindra banorëve që jetojnë në këtë objekt.”
Pampuri ka kërkuar nga Veliaj transparencë mbi këto ndërtime “skandaloze”, sic i quajti ajo, “në qendër të Tiranës.
Për të ndaluar betonizimin dhe pastrimin e parave, Pampuri deklaroi se së pari duhet “të heqim nga themelet betonin e të keqes që është ulur sot në qeveri, Edi Ramën dhe bandën e tij të “Rilindjes”.” /Opinion.al