Presidenti francez, Emmanuel Macron, i tha kryeministrit indian, Narendra Modi se Parisi është duke shikuar nga afër zhvillimet në Kashmir, teksa i ka bërë thirrje të respektojë të drejtat e njerëzve në të dyja anët e rajonit të Himalajeve.
Macron i ka thënë Modit se është përgjegjësi e Indisë dhe Pakistanit që të parandalojnë ndonjë përshkallëzim të situatës, teksa ka shtuar se Franca do të jetë e vëmendshme për t’u siguruar se interesat dhe të drejtat e popullsisë civile mbahen parasysh në të dyja pjesët e Kashmirit.
Kryeministri indian në anën tjetër, pa përmendur drejtpërdrejt Kashmirin, është zotuar për të vazhduar luftimin e “radikalizimit”.
Macron u shpreh gjithashtu se në ditët në vijim planifikon të zhvillojë dialog të ngjashëm edhe me kryeministrin pakistanez, Imran Khan.
Kashmiri është i ndarë në mes të Indisë dhe Pakistanit, prej kur këto shtete kanë fituar pavarësinë nga Britania më 1947, mirëpo të dyja kanë pretendime për territorin.
Tensionet janë rritur prej 5 gushtit, kur Nju Delhi i ka hequr statusin special pjesës që kontrollohet nga India.
Më shumë se 50,000 persona janë vrarë në pjesën e Kashmirit që kontrollohet nga India në tri dekadat e fundit, ndaj mendohet se veprimet e fundit të Nju Delhit do të izolojnë edhe më shumë këtë rajon dhe do të nxisin rezistencë të armatosur./Opinion.al