Dy shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë britanike pasi iu gjetën në shtëpi 100 bimë kanabis. Për ngjarjen e ndodhur më 24 qershor, dy shqiptarët janë dënuar me burg në Britani.
Policia ka rënë në gjurmët e tyre pas ankesave të vazhdueshme nga fqinjët prej erës së kanabisit. Ngjarja ka ndodhur në Tockholes Road, Darëen kur dy shqiptarët , Mentor Vata dhe Shpresim Vehapaj u gjetën nga policia në kuzhinën e shtëpisë, në të cilën u gjet kanabisi.
Ngjarja ka ndodhur në 24 qershor kur policët hynë në adresën e dhënë nga fqinjët dhe menjëherë sapo hynë ndjenë erën e kanabisit. Pas kërkimeve në shtëpi në dhomën e parë u gjetën 20-30 rrënjë kanabis në fazat e para të kultivimit, ndërsa në dhomën e dytë u gjetën rreth 20-30 bimë kanabisi të rritur dhe të vendosur në kushte sa më të mira për t’u zhvilluar. Ndërkohë në dhomën e tretë po thaheshin 50-60 bimë të tjera. Vatta 33-vjeç dhe Vehapaj 26 vjeç nuk ka rezultojnë me adresë fikse në Britani dhe as të dënuar më parë në këtë shtet. Ata u shpallën fajtor nga gjykata me akuzën për prodhim të lëndëve narkotike. Vata u dënua me 2 vjet heqje lirie ndërsa Vehapaj me 4 muaj.
Sipas avokatit të tyre dy shqiptarët kanë hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në Angli në kërkim të një jetë më të mirë. Për Vatën ai u shpreh se kishte ardhur në Britani në pjesën e pasme të një furgoni duke pritur të gjente punë për të mbajtur familjen në Shqipëri.
Ai kaloi pak kohë duke punuar në një komunitet lokal si kopshtar, por nuk zgjati shumë. Më pas ai nuk kishte kursime për t’u kthyer në shtëpi dhe iu dha mundësia për të nisur këtë aktivitet të paligjshëm. Lidhur me Vehapaj, avokati tha se ai kishte punuar në një kompani ndërtimi në Londër. Ai po qëndronte në shtëpinë ku u arrestua për pak orë dhe nuk ishte përfshirë në diçka të tillë përpara kësaj herë. Ai pranoi të paguhej për ndihmën e tij në ato pak orë. Shqiptarët do të deportohen për në Shqipëri kur të përfundojnë dënimin në Britani./Opinion.al/